Pas tri dekadash përpjekjesh, Tuzi u bë komunë me kompetenca të plota në Mal të Zi dhe në zgjedhjet e marsit për herë të parë forcat politike shqiptare fituan shumicën në Kuvendin Komunal.
Nik Gjeloshaj, u zgjodh si kryetar i komunës së pavarur. Gjeloshaj tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se fitorjan e statusit të komunës me kompetenca të plota, ishte një rezultat i punës së pareshtur të forcave politike shqiptare, bashkimit të këtij faktori dhe kontributit të diasporës.
E ardhmja e këtij vendi (Tuzit) është të qeveriset nga shqiptarët, forcat politike shqiptare dhe u dërgua një mesazh shumë i qartë për të gjithë shqiptarët kudo që ishin që në Tuz flitet dhe do të flitet sërish shqip”, tha ai.
Gjeloshaj tha se që kur partitë shqiptare fituan shumicën, është punuar për krijimin e kornizës ligjore, institucioneve lokale, është miratuar buxheti dhe statuti për komunën.
Kryetari i komunës tha se viti 2020 do të jetë vendimtar për rezultate konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetesës, infrastrukturës, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të punës.
Ai tha se Tuzi ka treguar vullnetin për të bashkëpunuar me Podgoricën dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
“Komuna jonë është komunë evropiane dhe do të integrohet bashkë me Podgoricën dhe Malin e Zi në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim besoj se do të vazhdojmë këtë komunikim të mirë të miqësisë dhe i sigurtë se do të vazhdojmë kështu për interes të qytetarëve tanë dhe shteteve dhe rajonit ku jetojmë”, tha ai.