Në Mal të Zi ditët e fundit ka pasur disa incidente , në të cilët përsëri është promovuar gjuha e urrejtjes ndaj pakicave, kryesisht shqiptarëve. Në ndeshjen Buduqnost Deçiq u dëgjuan brohoritje antshqiptare të tifozëve të klubit nga Podgorica, në Ulqin në një shtëpizë në Adën e Bunës u shpalos një foto e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ndërsa portali IN4S publikoi dy shkrime me gjuhë të urrejtes ndaj shqiptarëve dhe kroatëve. I pari i bazuar në një video që qarkullonte në rrjetet sociale, ku disa të rinj shqiptar fyenin serbët, ndërsa i dyti fyente deputetin e IQK Adrian Vuksanoviq, pasi ky i fundit disa herë e ka përsëritur qëndrimin se ajo parti nuk do të jetë pjesë e qeverisë, nëse në të merr pjesë koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi”. Deputeti i Aleancës Shqiptare Genci Nimanbegu, thotë se këto incidente janë rezultat i ngjarjeve politike.
“Për mua asgjë nuk është e rastësishme. Kjo është kulminacion i rrjedhave politike, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon. Bashkësia ndërkombëtare kohët e fundit ka ndryshuar qëndrim ndaj Beogradit, dhe po përkrah një revizionizëm të historisë po nga Beogradi, dhe si rezultat kemi këto incidente ndaj popujve pakicë. ”
Nimanbegu thotë se aktorët politik nuk janë duke bërë sa duhet në drejtim të uljes së tensioneve, por më tepër po hapin rrugë për incidente të reja me pasoja edhe më të rënda. Lidhur me atë se sa partitë e pakicave mund të ndikojnë pëmres pjesmarrjes në qeveri që këto incidente të eliminohen, ose të paktën të bëhen sporadike, ai thotë se kjo do të varet nga bazat mbi të cilat do të formohet qeveria, e cila duhet të varet nga programi i saj dhe jo nga numrat.
Që prej fillimit të negociatave joformale mes partive që arritën të sigurojnë vende në parlament, në mediat pro serbe gjatë gjithë kohës ka pasur qasje që të shkohet në drejtim të formimit të një qeveria pa pjesmarrjen e pakicve. Sipas Nimanbegut, kjo i ka kaluar kufijtë e demokracisë politike.
“Politika në Mal të Zi, kinse pro qytetare, ka në vete shumë tentativa nacionaliste, qoftë dikur malazeze, tani pro serbe, të cilat me anë të “proqytetarisë” po mundohen të zvoglojnë ndikimin e paritve të pakicave. Për këtë historikisht argumente kanë dhënë edhe vetë pakicat, duke hyrë në koalicione jo programore por më shumë për funksione. Un jam krenar që listat që i kam kryesuar apo përfaqësuar, për dallim nga shumë të tjera, ka pasur rezultate praktike në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona. Jo që jemi t kënaqur me arritjet, por kemi treguar kontinuitet. ”
Në pytjen nëse e sheh të mundshme një formim të shpejtë të qeverisë, apo do të zvarritet deri në momentet e fundit, Nimanbegu thotë se këtë do ta tregojë koha, por se ndikimet janë të gjithëanëshme.
Sa i përket masave të marra për incidentet e ndodhura, mësohet se në rastin e shpalosjes së fotografisë së kriminelit Ratko Mlladiq është thirrur në polici një 24 vjeçar nga Podgorica, ndërsa në rastet e tjera pritet reagimi i organeve kompetenete. Kryetari i AA Nik Gjeloshaj, sot ka njoftuar se i ka dërguar kërkesë Agjencisë për komunikim për myblljen e portalit IN4S.