Një homazh për mësuesin e përndjekur: Gjurmët e Imer Alia Ahmetajt në shtypin e vitit 1971


Dy dëshmi të rralla për angazhimin e tij në arsim, në Kosovë dhe Mal të Zi


Duke shfletuar gazetat e vjetra, njeriu gjen gjurmët e kohëve të shkuara dhe të njerëzve të palodhshëm që lanë shenjë në shoqëri. Dy copëza të veprimtarisë në shërbim të arsimit, kudo që punoi dhe jetoi në Kosovë dhe në Mal të Zi, na sjellin sot në kujtesë të ndjerin Imer Alia Ahmetaj, i cili para pak muajsh u nda nga jeta në Vuthaj.

Kështu kanë qenë mësuesit e mirë: kudo dhe kurdo që është dashur, kanë ngritur zërin — aq sa u është lejuar në atë sistem. Edhe Imer Alia ishte një prej tyre, i përndjekur për një kohë të gjatë për shkak të veprimtarisë së tij arsimore dhe qëndrimeve të guximshme.

Dy reagimet e gjetura në shtyp i përkasin vitit 1971. Reagimi i parë është nga Vuthajt, i datës 15 shtator 1971, ndërsa i dyti nga Rahoveci, i datës 28 tetor 1971. Këto dëshmi mbeten një kujtesë e vogël, por domethënëse, për përkushtimin e tij në shërbim të dijes dhe arsimit shqip.

Ky shkrim vjen si një homazh i vogël për një mësues të përkushtuar, që la gjurmë kudo ku shërbeu.


Enver Ulaj
Gazetar hulumtues
/ Plava e Gucia Sot /