Pacolli thoshte se nuk e shpenzon asnjë metelik të buxhetit të shtetit: 750 mijë euro në aviobileta, e veç vetë 100 mijë në hotele

Behgjet Pacollin mund ta keni dëgjuar shumë herë tek thoshte se nuk e shpenzon asnjë metelik të buxhetit të shtetit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, dhe se vizitat jashtë i bën me aeroplanin e tij privat. Pasqyrat e shpenzimeve e përgënjeshtrojnë.

Brenda një periudhe prej rreth dy vjetësh, sa e ka ushtruar funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme, ai dhe stafi politik i Ministrisë i kanë harxhuar 775 mijë euro vetëm në aviobileta.

Pacolli si i vetëm i ka harxhuar 100,863.37 euro vetëm gjatë vizitave jashtë vendit dhe për telefonata, pa përfshirë këtu edhe shpenzimet për bileta avioni, shkruan KOHA.

Pjesën më të madhe të kësaj shume e ka lënë në hotele. Bazuar në pasqyrën e shpenzimeve që Ministria ia ka përcjellë gazetës javën e shkuar, figurojnë 76,968.85 euro si shpenzime të kartelës në kategorinë “akomodimi gjatë udhëtimit jashtë vendit”. Shpenzime akomodimi i janë përshkruar edhe në një kategori tjetër – të tilla janë 3,413.52 euro.

Krahas këtyre, figurojnë edhe 11,576.08 euro shpenzime të kartelës për ushqim gjatë vizitave jashtë.

Ndërkaq, shpenzime “tjera” të kartelës gjatë këtyre udhëtimeve janë në lartësinë 5,828.92 euro. Natyra e këtyre shpenzimeve nuk i është saktësuar gazetës.

Pacollit i janë përshkruar edhe 3,076.00 euro shpenzime telefoni.

Nuk janë ofruar të dhëna që dëshmojnë shumën e shpenzimeve të tij për aviobileta, karburante, për reprezentacion e dreka në Kosovë, e edhe për pagë e mëditje.

Megjithëkëtë, disa të dhëna komulative tregojnë se Pacolli dhe stafi politik mbështetës, për dy vjet kanë harxhuar për aviobileta hiç më pak se 775,531.43 euro. Krahas kësaj, në reprezentacion e dreka zyrtare i kanë çuar 127,022.13 euro, dhe krahas këtyre harxhimeve në tryezë, figurojnë edhe 61,848.60 euro për akomodim e pritje delegacionesh. Kësisoj, shpenzimet në komulativ të këtij stafi për vetëm këto tri kategori, e që nuk u janë përshkruar si shpenzime veç e veç, gati kanë prekur njëmilionëshin – 964,402.16 euro.

Përkundër këtyre shumave që figurojnë në dokumentin që Ministria ia ka vënë gazetës në dispozicion, Pacolli ka insistuar se pothuajse 98 për qind të udhëtimeve zyrtare i ka realizuar me aeroplanin e tij. Ka thënë se me paratë e tij janë paguar edhe hotelet, edhe për stafin që e ka shoqëruar. Po kështu, se me të kanë udhëtuar falas, gjithmonë, edhe pasagjerë të tjerë të Ministrisë që kanë ushtruar detyrat e tyre, dhe se një pjesë të madhe të bujtjeve nëpër hotele i ka paguar nga xhepi i vet, pa kërkuar kompensim.