Padia ndaj Komunës së Prishtinës, Faruk Kukaj kërkon kompensim të dëmit dhe mbrojtje nga diskriminimi


Seanca e padisë së Faruk Kukajt ndaj Komunës së Prishtinës (03.08.2022)

Në njërën nga sallat e katit të parë në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca për rastin e padisë së Faruk Kukajt kundër Komunës së Prishtinës.

Kukaj, së bashku me një shoqërues, të dy në karroca me rrota, janë vendosur në mes të sallës ku po mbahej seanca pasi në të dyja anët janë të vendosura karriget, ku ata nuk mund të kenë qasje.

Kukaj dhe shoqëruesi i tij patën qasje për të hyrë në sallën ku po mbahej seanca gjyqësore, por i njëjti e ka paditur Komunën e Prishtinës për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe ka kërkuar kompensim për dëmtim të karrocës.

Kompensimi i dëmit dhe mbrojtja nga diskriminimi është kërkuar nga Kukaj meqë konsideron se atij i pamundësohet lëvizja lirshëm në ambientet publike të kryeqytetit.

Në Gjykatë e Prishtinës sot u dëgjuan ekspertizat e ekspertëve të angazhuar në rast, Bajram Latifi – ekspert i makinerisë dhe atij të psikiatrisë, Gani Halilaj.

Eksperti makinerisë, Bajram Latifi, deklaroi se dëmtimi i karrocës së paditësit ndodh kur rruga ku ec karroca është në disnivel dhe jo e rrafshët.

“Dëmtimi i shufrave metalike të karrocës, siç konstatohet në ekspertizë, vjen si pasojë e rrugës jo të rrafshët dhe në disnivel në mes të dy boshteve, dëmin e kalkuluar si në ekspertizë e kam vlerësuar në vlerë 150 euro”, tha eksperti Latifi.

Pas dëgjimit të ekspertizës nga eksperti i makinerisë, në seancë është dëgjuar edhe ekspertiza psikiatrike nga Gani Halilaj, i cili ka vlerësuar dhimbjen shpirtërore të përjetuar nga paditësi në përditshmërinë e tij në Prishtinë.

Eksperti Halilaj potencoi se intensiteti i dhimbjes shpirtërore të paditësit Kukaj, është permanente dhe ka intensitet të lartë meqë përjetohet çdo ditë kur Kukaj kryen aktivitetet e përditshme jetësore.

“Përderisa Kukaj ka vështirësi dhe pengesa që nga hyrja dhe dalja në banesën e tij, qasja në rrugë dhe hapësira publike, unë e kam kualifikuar dhimbjen shpirtërore si permanente dhe të intensitetit të lartë”, tha Halilaj.

Tutje Halilaj, në ekspertizë shtoi se paditësi Kukaj ka nevojë për dy e më shumë persona për t’i ofruar ndihmë çdo ditë.