Parlamenti malazez do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për shkarkimin ose jo të Dritan Abazoviqit.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq.
Kërkesa për shkarkimin nga detyra të aleatit të koalicionit qeverisës vjen në një kohë kur Abazoviqi ka nisur procedurat për të ndërmarrë mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
Më 4 shkurt Parlamenti do të vendosë nëse do të rrezohet kryeministri ose do të hapet rruga që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Parlamenti i Malit të Zi përbëhet nga 81 deputetë dhe mazhoranca qeverisëse bashkë me votat e Abazoviqit arrin të formojë një shumicë të brishtë.
Pritet që me formimin e një shumice të re, Abazoviqi të jetë kryeministër i një qeverie kalimtare, që do të përgatisë vendin për të shkuar në zgjedhje.