Komisioni Republikan Zgjedhor ka certifikuar listën e përbashkët shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare më 21 qershor.
Sipas vendimit të KRZ-së lista “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” do të mbajë numrin 16.
Gjithashtu Komisioni Republikan Zgjedhor miratoi vendimin se kjo listë plotëson kushtet për caktimin e dy përfaqësuesve në përbërjen e zgjeruar të anëtarëve të komisionit Farush Islami, jurist i diplomur dhe dhe Ismail Pajaziti gjithashtu jurist i diplomuar nga Bujanoci.
Lajmin e ka bërë të ditur bartësi i listës z.Shaip Kamberi
„Sapo u certifikua Lista e përbashkët e partive politike shqiptare për pjesmarrje në zgjedhjet parlamentare të 21 Qershorit.
Faleminderoj 4800 përkrahësit e PVD-së në veçanti, e 11730 përkrahësit e kësaj liste në përgjithësi, që me nënshkrimin e tyre përkrahen këtë Listë zgjedhore.
Ftoj të gjithë shqiptarët me drejtë vote të përkrahin listën e përbashkët dhe faleminderoj Republikën e Shqipërisë dhe Ministrin Cakaj për përkrahjen e parezervë të kësaj liste.