Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Pas shqetësimeve publike, verifikohet gjendja e artefakteve të Dom Nik Ukgjinit në Institutin Albanologjik

Prishtinë – Pas publikimit të disa shqetësimeve në media lidhur me gjendjen e artefakteve të mbledhura nga Dom Nik Ukgjini në trevën e Plavë-Gucisë dhe të dorëzuara në Institutin Albanologjik të Prishtinës në vitin 2001, redaksia e portalit tonë ka kërkuar informacione të drejtpërdrejta nga institucionet përgjegjëse për të kuptuar gjendjen reale të këtij thesari të çmuar kulturor.

Për këtë qëllim, redaksia kontaktoi z. Enver Prelvukaj, i cili zhvilloi një vizitë në Institutin Albanologjik, ku u takua me Akademik Zymer Nezirin dhe sekretarin e Institutit, z. Adil Olluri.

Gjatë vizitës, z. Prelvukaj pati mundësinë të shohë nga afër eksponatet e Muzeut Etnologjik të Dolit pranë Institutit Albanologjik, përfshirë edhe artefaktet e mbledhura ndër vite nga Dom Nik Ukgjini në Plavë-Guci. Sipas tij, gjendja faktike e eksponateve është krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të perceptohet nga debatet publike.

“Të gjitha artefaktet që pashë ruhen me kujdes të veçantë dhe trajtohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kombëtare. Asnjë eksponat nuk është dëmtuar dhe fondi muzeor vazhdon të jetë i mbrojtur,” ka deklaruar ai për portalin tonë.

Sipas informacioneve të marra gjatë takimit, problemi i evidentuar lidhet me nevojën për sanimin e kulmit të objektit të Institutit Albanologjik, një çështje infrastrukturore që kërkon investim dhe mirëmbajtje periodike, siç ndodh me çdo ndërtesë të kësaj natyre.

Lajm i rëndësishëm në këtë drejtim është fakti se vetëm pak ditë më parë është nënshkruar kontrata në vlerë prej 100 mijë eurosh për sanimin dhe izolimin e pullazit të Institutit Albanologjik. Ky investim pritet të eliminojë çdo problem ekzistues dhe të përmirësojë kushtet për ruajtjen e materialeve arkivore, dokumentare dhe muzeore.

Z. Prelvukaj theksoi se gjatë vizitës së tij u njoftua në detaje me gjendjen e institucionit dhe me masat që po ndërmerren për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Nuk erdha për të dëgjuar interpretime apo polemika, por për të parë realitetin. Realiteti që pashë është se artefaktet janë aty, ruhen dhe mbrohen. Sanimi i kulmit është një proces i zakonshëm mirëmbajtjeje dhe tashmë është siguruar financimi për realizimin e tij,” tha ai.

Artefaktet e mbledhura nga Dom Nik Ukgjini përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme historike dhe etnologjike për trevën e Plavë-Gucisë dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Ato janë rezultat i një pune shumëvjeçare, të kryer me përkushtim e dashuri për ruajtjen e kujtesës sonë kombëtare.

Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe kontributi i familjeve dhe malësorëve të Plavë-Gucisë, të cilët ndër vite i besuan këto objekte Institutit Albanologjik me bindjen se ato do të ruheshin për brezat e ardhshëm.

Nga ajo që u pa dhe u konfirmua gjatë kësaj vizite, ky besim vazhdon të mbetet i justifikuar. Mbi të gjitha, fakti që tashmë është siguruar investimi për sanimin e objektit jep garanci shtesë se ky thesar i çmuar do të vazhdojë të ruhet në kushte edhe më të mira në të ardhmen.

/ Plava e Gucia Sot

Exit mobile version