Komuna e Pejës dhe Komuna e Gucisë pas binjakëzimit të këtyre dy komunave kanë bashkuar forcat e tyre për një bashkëpunim më të afërt duke hartuar projektin e përbashkët “Trashëgimia kulturore – Thesar i rajonit ndërkufitar”, e cila prek temën e turizmit kulturor.
Ky projekt është përkrahur nga fondet e “EU-Programi për bashkëpunim ndërkufitar në mes të Malit të Zi dhe Kosovës”, të cilët do të financojnë 85 për qind të projektit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë bashkëfinancim nga dy komunat dhe do të zgjasë 24 muaj.
Projekti ka të bëjë me diversifikimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e ofertave turistike kulturore, që përfshin këto dy komuna.
Ndër të tjerat kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka theksuar se ky është një projekt, i cili ka vënë hapat e parë të bashkëpunimit më të afërt në mes të këtyre dy komunave.
Sipas tij, në të ardhmen presin të vazhdojnë edhe më tepër këtë bashkëpunim duke i diversifikuar potencialet natyrore dhe kulturore.
“Këto potenciale do t’i paraqesim si një destinacion unik përgjatë shtegut të ecjes Majat e Ballkanit, apo Via Dinarica për eksperiencat e çdo vizitorit. Njëherësh ky projekt do të ketë edhe aspektin ekonomik duke ndikuar direkt në ngritjen e numrit të vizitave në këto destinacione, diversifikimin e ofertës turistike, të cilat mund të ofrohen si eksperienca të reja nga Tour Operatorët dhe punësim të guidave të reja kulturore, qëndrim më të gjatë të vizitorëve në destinacion dhe mundësi, që të gjitha shërbimet t’i ngritin të hyrat e tyre”, ka deklaruar Muhaxheri.
Ndërsa kryetarja e Komunës së Gucisë, Anela Çekiq u shpreh se u ka gëzuar përfitimit të këtij projekti dhe kjo është iniciativa e parë pas binjakëzimit të komunave, e cila ndikon në zhvillimin dhe diversifikimin e ofertave të përbashkëta turistike në mes të Gucisë dhe Pejës.