Oda Ekonomike e Serbisë
Oda Ekonomike e Serbisë ka ndarë 1.3 milionë dollarë në tri vitet e fundit për lobuesit në SHBA, ndërkohë që sipas marrëveshjes do të ndajë edhe gjysmë milioni deri në fund të vitit 2022, ka bërë të ditur gazeta “Nova” të martën.
“Nova” shkruan se marrëveshja për lobim është firmosur me kompaninë Yorktown Solutions, detyrë e të cilës është të lobojë për interesa të Serbisë. Sipas të dhënave që ka siguruar kjo gazetë, në listën e kontakteve janë edhe ish i dërguari i Administratës Trump, Richard Grenell dhe Matthew Palmer, ish-zv.ndihmës sekretar i Shtetit për çështje të Ballkanit Perëndimor dhe Eurozinë.
Në regjistrin zyrtar amerikan FARA, ku ju janë regjistruar të gjithë lobuesit nga SHBA-ja dhe marrëveshjet me ta, nuk ka të dhëna se Qeveria e Serbisë ka ndarë ndonjë shumë të parave, por këtë e ka bërë Oda Ekonomike e Serbisë. Kjo Odë ka firmosur disa marrëveshje me Yorktown Solutions. E fundit është firmosur para tetë ditëve.
Sipas dokumentit, kompania është e detyruar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat të ndryshme, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike SHBA – Serbi”.
Kjo përfshin, siç thuhet më tej, “çështjet e menaxhimit dhe çështjet e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat”.
Më herët, është raportuar se Grenell paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga Serbia për lobim, por kjo është mohuar nga ish-zyrtari i lartë amerikan.