Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës dhe Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizuan ceremoninë përkujtimore në shënim të 40-vjetorit të vdekjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi.
Në këtë organizim mori pjesë muzikantja, Rreze Kryeziu. Ajo foli për vlerën e kompozitorit dhe peshën e krijimtarisë së iniciatorit të jetës së muzikës artistike profesionale në Kosovë.
“Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mulliqi. Së bashku me kompozitorin Loren Antoni jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë… Rexho Mullaj njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë, jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat moderne të një krijimtarie muzikore, por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë. Ai konsiderohet të jetë personazhi kryesor i muzikës artistike të shqiptarëve, ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë i trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane”, tha Mullqi.
Sa i përket pasurimit të literaturës muzikore në vend, Mulliqi theksoi që kompozitori kishte stilizuar gjithashtu shumë këngë e valle popullore në gjuhën shqipe.
“Për qëllime të futjes së programit muzikor në gjuhën shqipe në radio dhe për të pasuruar literaturën muzikore në vend, Rexho stilizoi shumë këngë dhe valle popullore në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh se ajo ishte shpesh privuar dhe e mangët gjatë kësaj periudhe. Gjithçka që kompozoi Rexho Mullaj ishte shqiptare… Ky kompozitor harmonizoi e stilizoi mbi 50 këngë popullore ndër të cilat dallohen: ‘Një lule’, e shkruar për solo sopran, kor dhe orkestër, ‘Lulëzoi fusha lulëzoi mali’, për dy solistë , kor dhe orkestër dhe ‘Zambaku i bardhë’ po ashtu për solist, kor e orkestër”, tha Mulliqi.
Ndonëse në mungesë të kompozitorit dhe dirigjentit, Rafet Rudi, nuk mungoi letra e tij, të cilën e lexoi moderatori Dardan Selimaj.
Rudi kishte përshkruar kohën, hapat dhe vështirësitë e kompozitorit.
“Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘Stilistikisht më të përmbajtur’, sesa të atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez (Shoenbergut, Bergut, Vebernit)… Pra, ai kishte një njohje të mirë të kompozitorëve, që idiomën krijuese e formonin në muzikën tonale, dmth për muzikën në të cilën përfshihen drejtime si neoromantizmi, neobaroku etj., e sidomos të kompozitorëve të shkollave nacionale. Rexhoja në strukturimin harmonik, meloritmik dhe në organizimin formal të veprës së tij qëndron në suaza të krijimtarisë së këtyre kompozitorëve, duke mos tentuar seriozisht ta bëjë një hap më tej jashtë bazave të këtij sistemi”, tha Selimaj.
Përveç këtyre fjalimeve pjesë e kësaj ceremonie përkujtimore ishte edhe interpretimi i dy veprave të kompozitorit, i cili u bë nga dy solistë të rijnë.
Kujtojmë që Rexho Mullaj vdiq në Prishtinë (Kosovë) në vitin 1982.