Përse stagnoi “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3” dhe sa ka shpresë për finalizimin e tij?

Nga: Butrint AVDYLI

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” është pa dyshim një nga filmat më ikonikë shqiptarë, i cili ndër vite i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të mbetet në listën e filmave të preferuar të shumë kujt.

Pjesa e tij e parë daton që nga viti 1997, në kohën kur legjenda e aktrimit, Faruk Begolli ishte ende gjallë dhe kishte luajtur një nga rolet kryesore të filmit.

Por u deshën plot 16 vite që të realizohej pjesa e dytë e këtij filmi, e cila u publikua në vitin 2014 dhe pati një pëlqyeshmëri mjaft të madhe, ani pse u vërejt dukshëm mungesa e disa aktorëve legjendarë të pjesës së parë.

Në vitin 2016, ekipi i produksionit “Labia” iu përvesh punës që të mos ndalej por të realizonte pjesën e tretë të filmit “Dashura e Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kështu në bjeshkët e nemuna të Rugovës nisën edhe xhirimët për këtë film, por DBN 3 nuk arriti të finalizohej asnjëherë.

Në një bisedë për Telegrafin, producenti i filmit “Dashura e Bjeshkëve të Nemuna”, ka treguar se cila është arsyeja e stagnimit të këtij filmi për vite të tëra.

“Plani ishte që pjesa e tretë e filmit DBN3 të finalizohej tri vite më parë, por për shkak të mungesës së fondeve, mungesës së vullnetit të spozorëve për t’a mbështetur realizimin e filmit, si producent i filmit jam detyruar të pres ditë më të mira duke mos hequr dorë asnjëherë nga projekti dhe finalizimi i tij”, ka thënë Kryeziu.

I njëjti ka bërë të ditur se ‘trailer’-i i publikuar në kanalin YouTube ka shërbyer si një pilot-projekt, që t’iu prezantohej sponzorëve, me shpresën se filmi do të gjente financimin e duhur për jetësimin e tij.

“Katër vite më parë i realizuam disa skena të filmit që zgjaten vetëm një ditë në Rugovë dhe një ditë tjetër jo të plotë në Tiranë me qëllim të kemi material për ‘trailer’-in e filmit në mënyrë që të jua prezentojmë sponzorëve dhe donatorëve të mundshëm në formën më të kompletuar idenë dhe përmbajtjen e filmit. Si producent edhe i dy filmave të mëparshëm të DBN 1 dhe 2 e vlerësova që më duhet një buxhet i konsiderueshm që të mbajë dhe arrijë nivelin e dy filmave të mëhershëm dhe në konsultim me regjisorin dhe skenaristin e filmit, Ekrem Kryeziun, u pajtuam që mos të ngutemi dhe të gjejmë mundësi dhe formë të financimit te projektit në fjalë. Filmi kërkon buxhet dhe per të realizuar në mënyre dinjitoze kërkesat e skenarit që është tejet interesant dhe provokues për publikun vendosa për një shtyrje të xhirimeve”, ka thënë për Telegrafin Shkumbin Kryeziu.

Producenti Shkumbin Kryeziu gjatë xhirimeve të DBN 3 (Foto: Arsim Berisha)

Megjithatë, stagnimi i DBN 3 duket se nuk e ka gjatë, pasi producenti i njohur thotë se ndjehet më shumë se asnjëherë tjetër i motivuar për ta çuar deri në fund realizimin e tij.

“Jam tejet i motivuar që ta çoj deri në fund këtë projekt dhe me ndihmën dhe angazhimin e tërë ekipit jam i bindur se do të ia dalim ta finalizojmë me plot pasion dhe profesionalizëm. Natyrisht besojmë që do të kemi mbështetjen e disa kompanive dhe nga disa ne kemi marrë premtime që do ta mbështesin filmin sikurse në të kaluarën që nuk ka munguar mbështetja nga sponzorët tradicionalë të produksionit Labia”, thekson Kryeziu.

Pamje nga xhirimet e DBN 3 në vitin 2016 (Foto: Arsim Berisha)

Për fund, ai shton se mbetet i padiskutueshëm fakti se sa e ka mikpritur publiku shqiptar filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” ndër vite.

Shkumbini thekson se të realizuarit një projekt si ky i kontribuon shumë promovimit të traditës dhe kulturës së vjetër shqiptare – me çka e tillë është edhe tema e filmit, që e ka afruar atë edhe më shumë me publikun.

“Është një fakt i palëkundur që publiku shqiptar i ka mirëpritur filmat DBN 1 dhe 2 dhe realizmi i pjesës së tretë të ka qenë edhe kërkesë e dëshirë e shumë artëdashësve si nga diaspora, ashtu edhe nga Kosova. Tema e filmit ngjallë kureshtje gjithmonë, pasi që ngërthen në vete dashurinë, aksionin, dashurinë për atdheun dhe shumë elemnte tjera si: muzika, personazhet e filmit, peisazhet e Rugovës dhe pamje tjera të viseve shqiptare. Si producent i filmit jam në rrugë të mirë që projektin ta realizoj vitin e ardhshem, në muajin maj dhe qershor veç planifikojmë të xhirojmë dhe në vjeshtën e vitit 2022 të shfaqet premierë. Do të ketë edhe disa plotësime në skenar dhe personazhe tejet interesante dhe të dashura për publikun. Në vazhdimësi do të ju njoftojmë për të rejat rreth filmit”, ka thënë Shkumbin Kryeziu për Telegrafin

Aktorja kryesore në film, Diellza Kolgeci, pa dyshim ka parë një ndër sukseset më të mëdha në karrierën e saj pjesëmarrjen në filmin e Ekrem Kryeziut, “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”.

Ajo për Telegrafin tregoi se i vjen keq që tash e pesë vite kanë stagnuar xhirimet e pjesës së tretë të filmit, por që ndjehet e gatshme t’i rikthehet këtij projekti nëse veç realizohet, pasi tash e dy vite ka qenë tërësisht jashtë punës për shkak të angazhimit si nënë.

“Më vjen keq që ka stagnuar filmi, sepse e di skenarin, e di idenë e regjisorit dhe ideja për DBN 3 më ka pëlqyer shumë. Tani besoj se jam e gatshme pasi që vajza Helena i ka mbushur dy vjet e katër muaj, sepse deri tash të gjitha punët i kam mënjanuar sepse kam dashur të jem afër Helenës në çdo moment, por tani pasi që është rritur pak, mundem të organizohem që të filloj edhe punët tjera”, ka thënë Diellza për Telegrafin.

Pamje nga xhirimet e DBN 3 në vitin 2016 (Foto: Arsim Berisha)

Kolgeci thotë se është e vetëdijshme për entuziazmin që publiku ka për filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, ndaj edhe shpreson që realizimi i DBN 3 të marrë dritën e gjelbër sa më shpejt.

“E kam pa që njerëzit në përgjithësi kanë qenë entuziastë për DBN 3, më kanë pyetur gjatë gjithë kohës ende vazhdojnë të më pyesin dhe përgjigjja ime është e njëjta DBN 3 kërkon buxhet goxha, sepse sipas skenarit është film që kushton dhe se varet nga producenti si do të organizojë gjithë këtë punë të madhe që po e pret”, thekson Kolgeci.


Diellza Kolgeci gjatë xhirimeve të DBN 3
 (Foto: Arsim Berisha)

E për fund ajo jep një lajm të mirë për publikun, duke treguar se është kontaktuar nga regjisori Ekrem Kryeziu, me çka edhe duket se realizimi i pjesës së tretë nuk është larg.

“Mua më ka kontaktuar regjisori Ekrem Kryeziu pikërisht për të biseduar rreth skenarit – kjo do të thotë që janë duke u bërë gati për të filluar punën”, ka përfunduar Kolgeci.

Dy volumet e para të DBN gjenden të disponueshme për publikun në kanalin YouTube, teksa fansat e këtij filmi mbeten në pritje për pjesën e tretë dhe shpresojnë që diferenca e sagës së tretë të “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” nga e dyta, të mos jetë si ajo shumëvjeçare mesë pjesës së parë dhe të dytë. /Telegrafi