Prijës i shquar i luftës antiosmane dhe mbrojtës i vendsour i tokave shqiptare – Pasurinë ua dhuroi dëshmorëve të Luftës së Nokshiqit dhe të Murinës, kurse pas nuk la trashëgimtar
Zenun Çelaj
Thonë se koha lind heronjtë, por edhe ata e shënojnë kohën. Ali Pashë Gucia është pa dyshim njëri nga personalitetet që shënoi historinë shqiptare të shekullit të kaluar, i cili vazhdon të jetojë edhe në këngët dhe legjendat tona popullore sot e kësaj dite. Atij i këndoi edhe i madhi Fishtë. Ndërkaq, historiografia shqiptare atë e trajton si një nga figurat më të shquara të luftës antiosmane dhe njërin nga organizatorët e prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që praqet njërën nga shtyllat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Derisa “Fjalori enciklopedik” për Ali Pashë Gucinë nuk përcakton vendin as vitin e lindjes (ndonëse thekson se ishte pinjoll i familjes Shabanagaj të Gucisë), Enciklopedia Jugosllave, bleni i parë në gjuhën shqipe (A-BIB), vendlindjen e këtij kolosi të historisë sonë gjithëkombëtare e saktëson në Plavë,kurse vit të lindjes – 1814-shin. Mirëpo, Mustafa Memiq, studiues i pasionuar i të kaluarës së Plavës e të Gucisë, pra edhe i Ali Pashë Gucisë, me të cilin shpesh personifikohet e gjithë nahija, vendlindjen e tij e vendos në Guci diku para vitit 1820. Vendi i vrasjes së tij është Peja , më 1885, por për dorasët e tij ka disa versione. Zërat e kohës thonë se vrasjen e tij e organizoi vetë Stambolli. Ka pohime se kishte dorë Austro-Hungaria. E veja e Ali Pashës i deklaronte Hamdi Rexhepagiqit, njërit nga intelektualët më të vjetër të Plavës, se Ali Pasha qe plagosur rëndë dhe se pas kësaj vetë kishte thënë: “Nëse mbetem gjallë do të merret vesh se kush më ka plagosur”, që do të thotë se ka pasur indicione për dorasit.
Dihet, po ashtu, se ai ishte i biri i Hasan begut të Shabanagajve, i cili e kishte sunduar Gucinë dhjetë vjet pas vdekjes së të jatit Gjyl begut, kapidan i Kapetanisë së Gucisë, ndërkaq nëna e tij ishte nga dera e Çekajve të Gucisë. Vetë u martua me një grua nga familja e Begollëve të Pejës. Në popull është ruajtur legjenda për bukurinë dhe urtinë e saj. Të gjithë fëmijët që u lindën i kanë vdekur dhe dera e Shabanagajve shuhet me Ali Pashë Gucinë. As në Plavë, as në Guci nuk ka lënë kurrfarë pasurie. Nahija e Shabanagajve shtrihej nga Velipola mbi Vermosh deri te gryka e Tifranit, nën Beran dhe Policë, te Bihori i Epërm. Gjithë ç’kishte ai e shiti më 1879 dhe në fillim të vitit 1880,kurse të hollat që i mori ua dha familjeve të dëshmorëve që ranë në Luftën e Nokshiqit më 4 dhjetor të vitit 1879 dhe në Murinë më 8 janar të vitit 1880. Ai shiti për këtë qëllim Bjeshkën e Stoçicës dhe tokat e pëlleshme në Martinaj. Tokat e tjera në grykën e Limit u mbetën Vasojeviqve, pasi iu bashkuan Malit të Zi, më 1858, në bazë të caktimit të kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar.
Të parët e beut e pastaj pashait të Gucisë, Shabanagajt, erdhën në Guci nga fshati Gruemirë, afër Shkodrës, në të njëjtën kohë kur erdhën në Plavë paraardhësit e Rexhepagajve. Këtë hollësi e ka shënuar edhe Andrija Joviqeviq në veprën “Krahina e Plavës e Gucisë” (Plavsko-Gusinjska oblast). Në bazë të gjurmimeve që ka bërë Memiq konstaton se ardhja e këtyre dy familjeve në Plavë e Guci, që do të luajnë më vonë një rol me rëndësi historike, mund të ketë ndodhur nga fundi i shekullit XVII, kurse sundimi i tyre në këtë nahije nis pas ndjekjes së pjesëtarëve të fisit Kelmend nga trojet e tyre në drejtim të Peshterit, pas rebelimit kundër turqve, kur themelohen fshatrat Vuthaj, Martinaj dhe Nokshiq. Për këtë ndjekje të kelmendasve njoftonte edhe një misionar katolik nga Selca.
Porta, duke ia pasur frikën derës së Bushatlinjve të Shkodrës, në vend të sanxhakbegut, Sylejman Pashë Bushatlisë, cakton Hasan Pashë Mahmutbegun (Begollin), sundimtarin e Pejës e të Dukagjinit, i cili kishte ngritur në Guci një kala. Ka fakte se qyteza u rrënua disa herë gjatë shekullit XVII dhe se u përtëri aty ku është edhe sot në fillim të shekullit XVIII. I pari i Shabanagajve kishte qenë dhëndër i Bushatlinjve dhe atë e kishin dërguar për sundimtar në Guci, dera e të cilëve do të ketë këtë privilegj për shumë vite në Lugun e Limit.
Është e sigurt se dera e Shabanagajve ishte pronar çifligar gati dy shekuj. Sipas një llogarie nga shekulli XIX, pas bashkimit të Vasojeviqve me Principatën e Malit të Zi, del se detyrimet e tyre ndaj Ali Pashë Gucisë kapnin 19 mijë kg misër, 28 mijë kg drithëra të bardha, rreth 55 mijë kg sanë dhe 24 mijë groshë. Këto detyrime kurrë nuk iu shpaguan Pashait. Ishte familja më e fuqishme feudale e Lugut të Limit.
Në skenën historike vetë Ali Pashë Gucia shfaqet nga mesi i shekullit XIX. Ishte pjesëmarrës i kryengritjeve që shpërthyen malësorët e veriut kundër politikës tanzimatiste gjatë viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, siç theksohet në “Fjalorin ensiklopedik”, ishte kundërshtar tepër aktiv i synimeve shoviniste serbe dhe malazeze ndaj tokave shqiptare. Janë ruajtur dokumente historike nga vitet 1852-1858, kur Vasojeviqët çojnë krye dhe ia dalin të shkëputen nga kazaja e Gucisë, ku ishte kajmekam vetë Ali Pashë Gucia. Ai vetë u kishte pri vullnetarëve të Plavës e Gucisë, të cilëve u qenë bashkuar edhe fisi i Krasniqes, Gashit dhe Rugova dhe më 1854 i detyruan të kapitullonin njësitë malaziase, që komandoheshin nga serdari Jole Piletiqi, i dërguar nga knjaz Danilloja në Vasojeviq. Malaziasit u mundën keq, kurse Ali Pashë Gucia, pas lutjeve nga ana e Milan Vukut, me ushtri u kthye nga Previja fitimtar, edhe pse do të mund t’i shkelte pa ndonjë mundim. Aso here plavjanët dhe gucjanët sollën në Guci 180 koka të prera.
Ndonëse edhe më parë populli e konsideronte njeri të drejtë dhe që nuk shitej, ky është ai momenti që Ali Pashës i solli famën edhe si prijës ushtarak dhe guximtar. Guximin dhe shkathtësinë ushtarake do ta provojë me sukses dhe më 1879 dhe 1880 në Luftën e Nokshiqit dhe të Murinës. U tregua i vendosur edhe me rastin e rezistencës që bënë Plavë e Guci ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit, i cili ia dhuroi Malit të Zi këtë krahinë. Jo rastësisht, kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga themeluesit e të cilës ishte vetë ky, e zgjodhi kryetar të Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Burimet historike dëshmojnë se ai qe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të Lidhjes së Prizrenit dhe “një nga udhëheqësit kryesor të rrymës centriste, që kërkonte luftë kundër shovinistëve fqinj për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut”.
Studiuesit e personalitetit të Ali Pashë Gucisë pohojnë se ai ishte nëpunës i denjë i shtetit Osman, por njëherit ishte besnik dhe i gatshëm t’i shërbejë pa kursim popullit të vet. Këto dy tipare të tij sikur u konfrontuan pas Kongresit të Berlinit. Sado që në popull është ruajtur mendimi se Ali Pasha në fillim mëdyshej rreth kundërshtimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit, bile e quajtën edhe “murtat” (tradhtar), pas kuvendimit me Mulla Jahë Musiqin, Jakup Ferin, Ahmet Zenelin dhe Hysen beg Rexhepagajn deklarohet solemnisht: “Deri sot i kam shërbyer Sulltanit, tash e mbas do t’i shërbej popullit”. E populli, siç e thotë edhe kënga e tij, kishte besim të pakufi ndaj tij, prandaj e ndoqi nëpër lufta e beteja, të cilat ky gjithnjë i fitoi.
Të dhënat historike dëshmojnë se respektohej edhe nga kundërshtarët. I biri i Milan Vukut, Gavro Vukoviq, ministër i mëvonshëm i Punëve të Jashtme në qeverinë e Malit të Zi, shkruante se Ali begu ishte prijës i madh ushtarak dhe trim i rrallë, i cili kishte ndarë mejdan burrërisht me të atin e tij, kurse në paqe kishin respektuar njëri tjetrin si njerëz. Një këngë popullore e publikuar në gjuhën gjermane në Budapestë (më 1888) mbi Luftën e Nokshiqit dhe Ali Pashë Gucinë ( e ka botuar Johan V. Asboth) rrëfen për Ali Pashën (shpjegon në parathënie Dr.Fr. S. Krauss) se para se të nisej në Luftën e Nokshiqit kishte shkuar te popi ortodoks sllav (Risto Vujosheviqi) në Guci dhe ia kishte bërë me dije se mund të shpërthenin konflikte dhe i kishte propozuar që me banorët malazias të strehohej përtej kufirit, nëse nuk mund të ishin qytetarë lojalë të Gucisë. I kishte premtuar se po mbajtën qëndrim luajal do të ishin të sigurt. Ata kishin zgjedhur këtë të dytën. Derisa në Nokshiq dhe në Murinë kishin rënë mbi dy mijë krerë nga të dy anët, popullsia ortodokse sllave në Guci kishte jetuar e sigurt nën mbrojtjen e tij.
Nuk është ndriçuar sa duhet angazhimi i tij për futjen e komponentës boshnjake në lëvizjen e Lidhjes së Prizrenit dhe bashkëpunimi i Ali Pashë Gucisë me Vasa Pellagiqin për mbrojtjen e Bosnjës e Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
Disa historianë malazias dhe serbë pohojnë se Ali Pashë Gucia një kohë ka qenë kajmekam i Sarajevës. Mirëpo, nuk janë gjetur dokumente që do t’i vërtetonin. Në fakt ai në Sarajevë ka kryer shkolla ushtarake dhe mund të ketë qenë kajmekam në ndonjë vendbanim jashtë Sarajevës.
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, sulltani e kurseu Ali Pashë Gucinë dhe e caktoi mytesarif të Pejës. Këtë post e mbajti për katër vjet, kur u plagos për vdekje në një atentat.
Jo vetëm në Plavë e Guci Ali Pasha është futur në këngët dhe legjendat e popullit. Në Guci e Vuthaj vazhdojnë të jetojnë mikrotoponime që lidhen me emrin e tij. Në të dalë nga Gucia, pasi kapërcehet lumi Vrujë, ndodhen gërmadhat e Sarajeve të Ali Pashës. Në vazhdim të rrugës për në Vuthaj, udhëtari ndeshet më Kërshin e Kalasë së Ali Pashës. Rrëzë Bradës së Vezirit, në anën tjetër të luginës, janë Krojet e Ali Pashës. Në vetë Gucinë është Xhamia e Ali Pashës.
Për çudi deri më tash askujt nuk i është kujtuar të shkruaj ndonjë monografi për këtë personalitet, që hyn në radhën e kolosëve të historisë sonë kombëtare, ndonëse e pretendojnë edhe boshnjakët, që po ashtu kanë të drejtë, meqë edhe shumica e tyre janë me origjinë shqiptare, siç ishte edhe vetë Ali Pasha.Të mëdhenjtë si ky gjithkush i do për veti.