Përvjetori i Betejës së Nokshiqit, 1879–2025

Në dimrin e ftohtë të vitit 1879, dallgët dhe stuhitë ekspansioniste iu vërsulën trojeve shqiptare. Perandorisë Osmane i kishte filluar të lëkundej dheu nën këmbë, ndërsa Rusia Cariste, e fuqizuar pas fitores ndaj saj, përpiqej të zgjeronte ndikimin në Gadishullin Ballkanik.

Sllavët e Ballkanit përfitonin duke zgjeruar territore në dëm të tokave shqiptare. Vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit shkaktuan reagimin e shqiptarëve, të cilët ngritën zërin në mbrojtje të trojeve të tyre. Kjo çoi në organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nën udhëheqjen e krerëve më me peshë të kohës.

Një ndër nismëtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe Ali Pashë Gucia, së bashku me Jakup Ferrin. Këto dy figura të trevës sonë, së bashku me burrat më të shquar të kombit, morën vendimet më të rëndësishme për fatin e shqiptarëve, duke hedhur poshtë vendimet e Berlinit dhe duke “kthyer pushkën” edhe ndaj fuqive të mëdha kur ato cenonin tërësinë territoriale shqiptare.

Para 146 viteve, në betejën e lavdishme të Nokshiqit, ra heroikisht komandanti i forcave vullnetare shqiptare, Jakup Ferri, së bashku me 800 bashkëluftëtarë dhe mbi 600 të plagosur. Ata ranë në mbrojtje të shqiptarisë, duke arritur një nga fitoret më të mëdha në historinë tonë — vetëm me forca vullnetare, të ardhura nga të gjitha trojet shqiptare, të armatosur dobët, por me vullnet të zjarrtë për të mbrojtur atdheun.

Atdhetarizmi dhe vendosmëria e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve stërgjyshore mposhtën ushtrinë e rregullt të okupuesve malazez, të udhëhequr nga Mark Milani, e cila ishte e mirëorganizuar dhe e pajisur me armatim modern (topa, mitraloza, pushkë e revole) nga Rusia dhe shtete të tjera evropiane. Forcat shqiptare nën komandën e Jakup Ferrit u shkaktuan malazezëve humbje të rënda: 2 500 ushtarë të vrarë, 1 200 robër dhe sasi të konsiderueshme të teknikës ushtarake të kapur.

Në këtë përvjetor ndiejmë krenari për qëndresën, sakrificën dhe përkushtimin e shqiptarëve të Plavë–Gucisë, por edhe për ndihmën vëllazërore të vullnetarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Po aq kemi të drejtë të pyesim sot: pse ky jubile po kalon pa asnjë organizim zyrtar, pa përkujtim institucional, as nga intelektualët në mënyrë të pavarur, e as nga shtetet tona?

Historianët e kohës e vlerësuan këtë betejë si bazament të vetëdijesimit kombëtar dhe si një nga gurthemelët që çuan drejt krijimit të shtetit shqiptar.

Kronisti britanik i “The Guardian”, Arthur Evans, në librin e tij Albanian Letters, e cilësonte Luftën e Nokshiqit si një nga hapat e parë të shqiptarëve drejt shtetformimit. Ndërsa më 2 maj 1880, gazeta The New York Times botoi një artikull ku shkruante:

“Gucia dhe Plava janë përfolur shumë lidhur me çështjen e kufijve mes Malit të Zi dhe Portës. Në çdo qytet të Evropës, këto dy vendbanime janë bërë temë e diskutimeve diplomatike; emrat e tyre janë publikuar me qindra herë në gazetat më të rëndësishme botërore…”

Nëse para 146 vjetësh “të gjitha kryeqytetet botërore merreshin me Plavën e Gucinë”, atëherë çfarë po bëjmë ne sot, që zëri ynë të dëgjohet për padrejtësitë historike mbi këto troje?

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ruhet edhe flamuri më i vjetër kombëtar nën të cilin luftuan të bashkuar shqiptarët e të gjitha trevave etnike në Betejën e Nokshiqit — dëshmi e pakundërshtueshme se aty u luftua për Shqipërinë dhe për kufijtë e saj natyrorë.

Ky përvjetor duhet të shërbejë si thirrje për korrigjimin e një gabimi të rëndë historik: mosdekorimin e kryekomandantit Jakup Ferri. Për strategjinë e tij, trimërinë, sakrificën dhe një fitore që mbetet ndër më të lavdishmet e kombit, ai e ka merituar prej kohësh titullin Hero i Kombit Shqiptar.

Në këtë datë të lënë në harresë, Plava dhe Gucia thërrasin ndërgjegjen e historianëve, intelektualëve dhe udhëheqësve të shteteve tona. Sepse prej 146 vitesh, këto treva rezistojnë pothuajse të vetme, duke derdhur gjak nga plagët e asimilimit, të konvertimit të dhunshëm dhe të mërgimit.

Në këtë përvjetor u themi qartë:
heshtja është krim ndaj historisë së lavdishme të Luftës së Nokshiqit.

Kujtim dhe lavdi të përjetshme trimave të Nokshiqit.

Esad GJONBALAJ

GUCIA dhe PLAVA NE “NEW YORK TIMES” 2 MAJ 1880