Peter Sorensen Nuk Duhet ta Harrojë Krahinën Shqiptare në Serbi

Emisari për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka nisur sot vizitën e tij të parë njohëse në Republikën e Kosovës, në kuadër të procesit të dialogut mes dy vendeve.

Në këtë kontekst, pritet që emisari Peter Sorensen të trajtojë edhe çështjen e diskriminimit të krahinës shqiptare në Serbi, duke shmangur gabimet e rënda të paraardhësve të tij, të cilët kanë praktikuar qasje me dy standarde ndaj pakicave në rajon.

Një qasje e tillë ka lejuar Serbinë të kërkojë të drejta për pakicën serbe në Kosovë, ndërsa shqiptarëve në Serbi u janë mohuar të drejtat më elementare. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë përballur me pasivizim të adresave, mungesë përfaqësimi në institucionet shtetërore dhe shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Emisari Sorensen pritet të shmangë gabimet e paraardhësve të tij duke vendosur kontakte dhe zhvilluar takime me:

• Kryetarët e komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,

• Kryesuesit e kuvendeve dhe këshilltarët komunalë,

• Përfaqësuesit e subjekteve politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë,

• Shoqatat e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së.

Në këtë kuadër, pritet që emisari Sorensen të kërkojë nga Serbia:

• Ndalimin e spastrimit etnik dhe diskriminimit përmes pasivizimit të adresave në krahinën shqiptare në Serbi,

• Kthimin e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë dhe vendosjen e Shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit,

• Hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe dhe garantimin ligjor të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar,

• Respektimin e rezultatit të Referendumit të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992,

• Përfaqësimin e krahinës shqiptare në Parlamentin e Serbisë përmes ulëseve të rezervuara,

• Zbatimin e plotë të amnistisë për ish-ushtarët e UÇPMB-së,

• Zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Konçulit, përfshirë përfaqësimin e duhur në strukturat e policisë multietnike.

Sorensen pritet të insistojë në respektimin e Marrëveshjes së Konçulit dhe të kërkojë:

1. Tërheqjen e forcave serbe nga vendbanimet shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe mbylljen e 48 minibazave ushtarake në Zonën Tokësore të Sigurisë,

2. Respektimin e plotë të amnistisë për ish-ushtarët e UÇPMB-së,

3. Përfshirjen e shqiptarëve në policinë multietnike në përpjesëtim me përbërjen demografike të rajonit dhe në hierarkinë komanduese.

Statusi politik i krahinës shqiptare në Serbi vazhdon të mbetet i pazgjidhur, përkundër shprehjes së vullnetit plebishitar përmes Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992 dhe kryengritjes së armatosur të UÇPMB-së. Marrëveshja e Konçulit, e cila u arrit me ndërmjetësimin dhe garancinë e faktorit ndërkombëtar, nuk është respektuar nga Serbia, duke krijuar një situatë të tensionuar për shqiptarët në këtë rajon.

Emisari Peter Sorensen nuk duhet ta harrojë Krahinën Shqiptare në Serbi.

Autori: Refik Hasani

17 mars 2025