Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar pezullimin e operacionit për gjetjen e turistit të zhdukur më 5 shtator 2024.
Turisti me shtetësi Lituaneze T.K i lindur me 1990, kishte dalur nga bujtina me datën 06.09.2024 për t’a ngjitur majën e Rosit.
Personi i lartpërmendur kishte planifikuar ngjitjen në majën e Rosit dhe kthimin në bujtinë duke lënë dokumentet dhe gjësendet e tjera private në bujtinë.
Vendimi për pezullim u mor pas dështimit për të gjetur ndonjë gjurmë që mund të ndihmonte në lokalizimin e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i kërkimit u zhvillua në katër drejtime, përfshirë një kërkim ajror me helikopter dhe tri grupe kërkimi nga toka.
“Më 12 shtator 2024, ShKShMK, pas një thirrjeje nga autoritetet shqiptare, vazhdoi kërkimin e turistit të zhdukur, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë,” thuhet në njoftim.
Operacioni përfshiu gjithashtu koordinimin me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi, të cilët zhvilluan kërkimin nga ana e tyre.
Përkundër përpjekjeve të bashkërenduara, asnjë gjurmë e turistit të zhdukur nuk është gjetur deri më tani.
Operacioni është pezulluar përkohësisht, derisa të mblidhen informacione të reja nga autoritetet përgjegjëse.