PLAVA DHE GUCIA, NËNA E MADHE E ALPEVE SHQIPTARE

plava-dhe-gucia2 (1)Etnografi – Lugina e Plavë-Gucisë, një bukuri përrallore, e strukur atje ku “miza bren hekurin”, në këtë shekull duket e braktisur dhe e ndrojtur nga stuhitë e historisë, të cilat në të kaluarën asnjëherë s’e kursyen.

 

Zenun Çelaj

Lugina e Plavë-Gucisë, një bukuri përrallore, e strukur atje ku “miza bren hekurin”, në këtë shekull duket e braktisur dhe e ndrojtur nga stuhitë e historisë, të cilat në të kaluarën asnjëherë s’e kursyen. Historia e saj e ngatërruar, si e gjithë historia shqiptare, asnjëherë nuk e ka sqaruar mirë, nëse kjo ua zuri rrugën lakmuesve në shtegtimet e tyre pushtuese apo ata e ndoqën si ëndrrën e bukur, që vazhdimisht shfaqet e ikën. Sidoqoftë, në atë skaj bote dhe në atë krahinë të vogël ndër shekuj u zhvilluan ngjarje aq të mëdha e dramatike, sa ndonjëherë ngjante si qendra e botës. Dhe prandaj, sa herë përmendet ajo, të bien ndërmend vetëm histori luftërash të fituara e të humbura, trima e të mundur, ilirë e romakë, grekë, gotë e maqedonas dhe më vonë gjithmonë shqiptarë përballë, herë turqve e herë sllavëve.

gusinje

Përmenden luftërat e kelmendasve me të tjerët, pastaj ato të pas Kongresit të Berlinit, i cili këtë luginë ia dhuroi Malit të Zi, kundërshtuar aq vendosmërisht nga popullata vendase dhe mbështetur nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtu u provuan për herë të parë; përmenden Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri, Çelë Shabani dhe burra të tjerë … përballë forcave të thyera malazeze të Mark Milanit. E vendosur në një hapësirë 535 kilometrash katrorë, lugina e Plavë-Gucisë duket si një pykë që ndan ose bashkon Shqipërinë me Kosovën e Malin e Zi. Kjo sipërfaqe ndryshon nga ajo që i referohet ish-komunës së Plavës, e cila shtrihej në 486 kilometra katrorë.

nana e madhe

Tani kjo është ndarë në të Plavës dhe tjetrën të Gucisë. Lugina përshkohet nga lumenj të pasur me ujë, të cilët, para se të mbushin liqenin e Plavës, lagin fushat anash, ndërsa rrethohet nga male të larta mbi dy mijë metra, të mbuluara me kullosa e dru, ku bora plotëson koloritin e kësaj gjeografie aq atraktive për turizmin malor, sot aq të popullarizuar. As librat shkollorë e as udhëpërshkruesit, nuk kanë pasur si t’i shmangin të gjitha, sa të mos i përmendin. Studiuesit pohojnë se në luginën e Plavë-Gucisë, pas njerëzve të parë që këtu erdhën në kërkim të gjahut dhe të frutave të pyjeve, ishin ilirët ata që bënë historinë.

plava-dhe-gucia2 (1)

Po ashtu, përmes kësaj lugine, në kohët antike e më vonë, kanë shtegtuar karvanët Dubrovnik – Kotor – Shkodër – Pejë – Stamboll (Kostandinopojë). Ka qenë shteg që ka lidhur edhe Kosovën me Shkodrën.

Ata thonë se konfigurimi, pozita strategjike e ka sjellë luginën në fokus të interesave njerëzore në epoka të ndryshme dhe ata s’janë larguar pa lënë gjurmë. Ato shënojnë shekuj e mijëvjeçarë. Gjurmët e mbetura të historisë në këtë anë çojnë në kohë të mugëta, në parahistori, të cilat i qëndruan harresës dhe ende vazhdojnë të rrëfejnë se nëpër këto troje pati jetesë, se në to jetuan a kaluan në kohë të ndryshme, njerëz me kultura e qëllime të ndryshme.

plava dhe gucia2

Autariatët dhe Pirustët ilirë, përmenden si fise që këtu lanë gjurmë të pashlyeshme të kulturës materiale. Halil R. Markishiq, në librin “Trashëgimia kulturo-historike e anës së Plavë-Gucisë” (Kulturno-istorijsko nasledje Plavsko-Gusinjskog kraja), botim i Almanah Podgoricë dhe NVO “Priroda i bastina” Rozhajë, shkruan se ata ngritën mure të thata mbrojtëse rreth vendbanimeve, se fortifikimet mesjetare Gradac, mbi manastirin Trinia e Shenjtë, Çeligradi mbi kodrinën në anën e djathtë të Limit, përballë Gradacit, Jerina në kodrën ndërmjet Martinajve dhe Zagrajës, janë ngritur aty ku dikur ishin fortifikimet ilire. Në malin Visitor, jo larg liqenit të Visitorit, ndodhen rrënoja të një muri të madh ‘që ndante bjeshkën’, të cilin me siguri e kishin ngritur ilirët rreth buneve të tyre. Po ashtu edhe shumë toponime, madje edhe vetë emri Guci, sipas tij, është me rrënjë ilire (Gujinesijo). Ilire janë edhe trashëgimitë dhe vizatimet në shkëmbinjtë Maja e Popadisë dhe në Bradë të Vezirit.

Arkeologët pohojnë se gjurmët më të hershme arkeologjike në këtë luginë, ndodhen jo larg Gucisë. Njëra sosh ndodhet në Vollushnicë, Maja e Popadisë (në jug të Gucisë), në një lartësi mbidetare rreth 1790 metra. Mbi një rrasë guri në grykën e përroit, njeriu a njerëzit gdhendën një figurë që tregon nënën me fëmijë mbi ije dhe përreth saj, disa figura njerëzish. Sipas arkeologut malazez, Pavle Mijoviq, kjo gravurë, ky vizatim, ka origjinën nga epoka e mesme e bronzit dhe i përket artit paspaleolotik (neolitik) të Ballkanit. Guri a rrasa, mbi të cilën është gdhendur kjo nënë, ka dimensionet 3,5 metra katrorë dhe është mbi dy tonë i rëndë, kanë përshkruar ata.

“Mbi faqen e rrafshët të rrasës së gurtë, janë të gdhendura figurat e tetë meshkujve dhe grave që rrethojnë figurën në pozitë të shtrirë. Konsiderohet se është një familje që vajton anëtarin e vdekur. Skenën e dominon figura e gruas, e cila mban dy fëmijë mbi kërdhokulla. Prandaj, ky kompozim është quajtur Nëna e Madhe (Magma Mater) e Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemuna)” , përshkruan Halil Markishiq këtë monument kulture. Por studiues të tjerë, këtë skenë e përshkruajnë si një luftë të burrave dhe grave me ujkun që kishte sulmuar një fëmijë, e cila i referohet periudhës ilire, meqë “disa nga elementet (e figurës – sqarim ynë) u ngjajnë atyre nga Brada e Vezirit”.

Arkeologu malazez, Pavle Mijoviq, thotë se kjo gravurë i takon “epokës së mesme të bronzit (periudhës së parahistorisë që zëvendësoi epokën e gurit dhe që zgjati deri në vitin 1000 para erës sonë). Në këtë epokë, mjetet e punës, armët dhe stolitë bëhen nga bronzi” dhe se është gjetja e vetme në artin pariental paspaleolitik të shpellave në Ballkan, e cila rrëfen vazhdimësinë e jetës njerëzore në këto hapësira.

Po cili është vizatimi në Shpellën e Madhe a Shkallën e Madhe, siç e quajnë disa, të Bradës së Vezirit?

Mali Brada i Vezirit ngrihet mbi Krojet e Ali Pashë Gucisë, një prej bjeshkëve që i bën hije Vuthajve nga njëra anë e shtrirjes. Lugina e Vuthajve, nis nga Krojet e Ali Pashës – në njërën anë, dhe Kërshëllahet, po ashtu të Ali Pashës – në anën tjetër, dhe përfundon në bjeshkët e larta të Shalës, Valbonës, Kollatës, Qafës së Borit, e rrethuar nga të dy anët, po ashtu me bjeshkë mbi dy mijë metra lartësi mbidetare, kullosa të pasura e pyje halore e gjethërënëse, me burime që asnjëherë s’shterojnë, që formojnë Limin.

Rrëzë malit të Bradës së Vezirit janë shtëpitë e Bruçajve, që aty kanë formuar lagjen e Gerjave. Në shpatin e rrëpishëm shkëmbor mbi të, jo i lehtë të kalohet, në një lartësi mbidetare rreth 1300 metra, te vendi i quajtur Shkalla e Madhe (në literaturën malazeze quhet edhe Shpella e Madhe, që ka një logjikë) ndodhet një shpellë e thellë rreth dhjetë metra, pak më e gjerë se kaq dhe disa metra e lartë.

“Ndër autorët antikë, të cilët jo rrallë përmendin ndërlidhjen e ilirëve me muzikën, vetëm gjeografi grek Straboni, në kalim nga era e vjetër në të renë, saktëson se Dardanët (fise të shumta që popullonin hapësira të Serbisë së sotme të mesme e jugore, Maqedoninë veriore dhe Kosovën) kanë zakone të egra, porse vlerësojnë muzikën dhe kanë instrumentet e veta, me frymë e me tela”.

Sipas interpretimit të saj, njerëzit e asaj kohe edhe në këtë anë, sikundër edhe tjetërkund në botë, jetën e tyre shpirtërore dhe parahistorinë e vonë, e ndërlidhin përmes artit shpellor, vizatimeve e gravurave me fenomenin e riteve magjike. “Harku në funksion të instrumentit është ruajtur deri në ditët tona ndër disa fise primitive afrikane, ndërsa ndërlidhja e ndërsjellë e harkut me muzikën, shpesh është përmendur edhe në mitologjinë greke”, shkruante ajo (në vitin 2000) në punimin “Simbolet muzikore në vizatimin në Gërbajë”.

Radulloviq-Vuliq thotë se skenat e shpellave në hapësirat e Ballkanit shfaqen nga shekulli XIII para epokës së re, si skena gjuetie, siç është ajo në Bradë të Vezirit mbi Guci dhe sipas saj, përcaktimi i kultit të tyre do të ishte i mangët pa supozimin e komponentes muzikore, si mjeti më efikas në aktivitetet magjike. Nuk mungojnë as përshkrimet për monumente të periudhave të mëvonshme, të cilat nuk janë të pakta. Disa prej tyre janë zhdukur si pasojë e politikave ekspansioniste, asimiluese sllave. H. Markishiq përmend rastin kur gjatë ndërtimit të Shtëpisë së Shëndetit në Plavë, në breg të liqenit u hasën gjurmë të një bazilike të krishterimit të hershëm, ato u zhdukën pa shpjegim, por sigurisht jo pa qëllim.

Megjithatë, në sajë të arkeologut anglez, Artur Evans, i cili vizitoi këto anë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, këto gjurmë mbeten të shënuara. Janë edhe toponimet që rrëfejnë për kohën romake. Ka një mal që quhet Romaja. Emri i Limit, sipas disa linguistëve, e ka rrënjën nga “limes”. Visitori, sipas tyre vjen nga toponimi “Visitare”.

Jo larg Gucisë ndodhet edhe vendi me emrin Trojan. Në juglindje të Vuthajve, ka një vend që quhet Rudnicë, ku shenjat flasin për një minierë ari sasësh. Në Guci janë evidentuar fragmente të ujësjellësit nga periudha romake. Në Plavë “ndeshen gjurmë të vjetra vendbanimi: copa shtyllash e skulpturash, themele shtëpish”, sipas Konstantin Jiriçekut. Historianët seriozë kujtojnë se Plava e Gucia ndodheshin në pjesën kufitare të Perandorisë lindore e perëndimore Romake, dhe më vonë mes Perandorisë Romake e asaj Bizantine. Pas vitit 457, kur formohet shteti lindor Got, pohohet se ata arritën deri në Mbretërinë Perëndimore të Ilirisë.

Disa studiues pohojnë se edhe emri i fisit Hot e ka origjinën nga emri Got dhe se Hoti mbi Plavë është vendi i origjinës së fisit Hot, tash në Malësi të Madhe. Edhe vetë emri i Plavës lidhet me emrin e imperatorit Flavius. Studiuesit këtë pohim e mbështesin në faktin se sllavët e vjetër nuk e kishin tingullin F dhe prandaj ata e kanë shqiptuar si P ose në vend të tingullit G përdornin atë H, prandaj në vend të Flavius – Plavë dhe në vend të Got – Hot.

Por, nëse gjurmët romake janë zhdukur, kanë mbetur të gjalla ato të periudhave të mëvonshme, sidomos të periudhës së Perandorisë Osmane, e cila këtu nis që nga viti 1455 dhe përfundon në vitin 1913. Madje kronistët kanë shënuar me saktësi se ndërtimi i qytetit të Gucisë përfundoi më 1611-n, ndërsa ai i Plavës më 1619-n. Sllavët arritën edhe këtu, por nuk lanë gjurmë të rëndësishme të kulturës së hershme të tyre. Për herë të parë, Zhupa i Plavës përmendet në kuadër të shtetit të Nemanjitve pas vdekjes së Uroshit I (1243-1276), ndërsa mbretëresha Jelena Anzhuine, me origjinë franceze, përmendet si sundimtare e kësaj krahine nga viti 1276-1309, e më pas bie nën sundimin e Stefan Deçanskit, pastaj sundimin e merr Dushani deri në vitin 1355.

Ndër objektet më të vjetra të periudhës osmane në Plavë-Guci është Xhamia Mbretërore ose e Vjetër në qendër të Plavës, nga viti 1471. Ndodhej në zonën e qytetit të Dizdarit, që rrethohej nga mure 3-5 metra të larta, që konsiderohet si bërthama e hershme e qytetit. Xhamia tani ka pamjen që ka ruajtur nga shekulli XVIII. Një tjetër xhami, po në Plavë, është ajo e Rexhepagajve, nga viti 1774; Xhamia e Çekajve në Guci është ngritur më 1687-n, ndërsa ajo e Vezirit më 1765-n. Në Guci kishte edhe një xhami, që ishte ndërtuar më 1617-n, por ajo ishte djegur më 1746-n.

Kullat, sikundër edhe në hapësirat e tjera shqiptare, përbëjnë një nga trashëgimitë kulturore, që rrëfejnë për identitetin e banorëve të luginës së Plavë-Gucisë. Ato janë pjesë e rëndësishme e ansamblit arkitekturor gjithëkombëtar, fatkeqësisht i pastudiuar në shkallën që meritojnë në rrafshin kombëtar dhe nga studiues kombëtarë. Një punë të rëndësishme në këtë rrafsh ka bërë Halil. R. Markishiq, i cili, pavarësisht nga mbiemri që sugjeron origjinë tjetër, është shqiptar, Gjonbalaj i Vuthajve.

Në librin “Trashëgimia kulturo-historike e anës së Plavë-Gucisë” ai ka evidentuar thuajse në hollësi kullat në këtë krahinë, me përshkrime e histori të tyre. Ai specifikon stilin dhe arkitekturën e tyre, që nuk dallon nga ato të kullave në zonat shqiptare të Ballkanit, “të përshtatura për nga forma e tyre, struktura dhe interieri, të dedikuara kërkesave të mbrojtjes nga sulmet dhe banimit në kushtet e rrethimit. Kulla ka përdhesen dhe dy kate, ndërsa hapësira kryesore mbrojtëse është tavani, prandaj konstruksioni i kulmit mbështetet në mure të larta rreth një metër, me frëngji në të katër anët.

Ndër kullat më tipike në Plavë është ajo e Rexhepagajve, sipas autorit – të ardhur nga Gruemiri te Shkodra në fillim të pjesës së dytë të shekullit XVII. Ndonëse nuk dihet me saktësi se kur është ngritur kjo kullë, pohohet se atë e ka ndërtuar Hasan beg Rexhepagaj më 1671-shin. Ajo aktualisht është një nga atraksionet e trashëgimisë në Plavë.

Si kjo e Rexhepagajve, kullat janë prej guri të gdhendur dhe janë ndërtuar nga mjeshtër dibranë. Një tjetër sosh është ajo e Ramë Demë beut (1894), e Shaqir beut, po në Plavë nga viti 1899, pastaj kullat e Ferrajve (të ardhur nga Fundini, në mes të Tuzit e Koplikut, më 1688-n) e fundit të shekullit XIX dhe fillimi i atij XX, ndër to edhe ajo e Jakup Ferrit.

Trashëgimia kulturo-historike e Plavë-Gucisë është më e pasur se kjo që dihet dhe ajo vazhdon të presë jo vetëm hulumtuesit, por edhe vizitorët, tash të paktë, që atje shkojnë për të shijuar bukuritë natyrore më shumë se për motive të tjera.

Shuqo Rexhepagaj nga Plava tashmë ka mbledhur një koleksion artefaktesh me vlerë, të denja për një muze qyteti a krahine, sikundër edhe Ramë Çelaj në Vuthaj, i cili kullën e vjetër e ka shndërruar në muze etnografik. Por, mbi të gjitha, vlen muzeu etnografik, i krijuar nga Dom Nikë Ukgjini, një klerik që shërbeu në kishën katolike në Doli, afër Gucisë, eksponatet e të cilit janë me vlerë të rrallë kulturo-historike. Ato vazhdojnë të presin kohë më të mira, rrugë më të mira e më të shkurtra, që luginën do ta lidhnin me hapësirat e natyrshme kombëtare – nga njëra anë me Kosovën përmes Grykës së Deçanit, e nisur dhe e ndërprerë, dhe përmes Vërmoshit e Kelmendit me Shkodrën, jo më larg se 75 kilometra. Për brezat e tashmë dëshirë, e për ata që vijnë, një perspektivë reale

 (Marrë nga “Koha Ditore”)