PLAVA E GUCIA DY MARGARITARË GJEOGRAFIKË – Rexhep QOSJA
Në kohën e Rilindjes Kombëtare, Plava dhe Gucia ishin dy qytete shumë të çmuara dhe shumë të rëndësishme shqiptare. Sa dhe pse ishin të çmuara dhe të rëndësishme atëherë, e tregojnë edhe studimet e autorëve shqiptarë dhe të huaj që kanë shkruar, cilët më pak e cilët më shumë, për këto qytete. Por sa ishin të çmuara Plava dhe Gucia e tregojnë edhe vargjet që ua kanë kushtuar dy prej poetëve më të mëdhenj kombëtarë: Naim Frashëri dhe, sidomos, Gjergj Fishta.
Pse ishin atëherë ashtu të çmuara dhe aq të rëndësishme Plava e Gucia?
Ato ishin të rëndësishme si qytete shqiptare së pari, për arsye gjeografike dhe ekonomike. Ato ishin qytete të cilat natyra i kishte vendosur në zemrën e Bjeshkëve të Nemuna, duke i rrethuar me bukuri të jashtëzakonshme: me visore magjike, me bjeshkë, me male, me kodra, me lugina, me liqene, me lumenj, me shena, me përrenj, me burime, me bimësi të shumëllojshme dhe me shtazë të egra të llojllojshme. Prej tyre, në Shkodër, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Shkup, madje, edhe në Raguzë eksportoheshin druri, në mënyrë të veçantë pishat shumë të çmuara, lëkurat, bulmetrat, leshi, pemët e ndryshme. Për këto prodhime vendore aty, thuhet dhe shkruhet, vinin tregtarë, madje, edhe prej Raguzës – Dubrovnikut të sotëm, që prej Mesjetës së hershme.
Në kohën e Rilindjes Kombëtare, përpos se ishin të rëndësishme për arsye gjeografike dhe ekonomike, Plava dhe Gucia do të bëhen jashtëzakonisht të çmuara për shkak të luftës atdhetare kundër pushtimeve të Serbisë dhe të Malit të Zi. Siç dihet historikisht, Plava dhe Gucia do të bëjnë luftën e parë atdhetare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër sulmit pushtues të Malit të Zi. Dhe, kjo luftë e parë e Rilindjes do të bëhet në fshatin e njohur Nokshiq, jo shumë larg Plavës. Luftën do ta organizojnë Ali Pashë Gucia me parinë e vendit, por në të do të marrin pjesë edhe shqiptarë prej Rugovës, prej Dukagjinit, prej Krasniqes, prej Çeremit e Valbonës dhe prej Shalës e Thethit. Ishte kjo jo vetëm lufta e parë e Rilindjes sonë Kombëtare kundër pushtimeve të Serbisë e të Malit të Zi, por ishte lufta e parë pothuaj gjithëkombëtare e Rilindjes sonë kombëtare.
Ishte kjo luftë kombëtare për të mbetur Plava e Gucia çka kishin qenë gjithmonë: krahinë përbërëse e tokave shqiptare, krahinë përbërëse e Shqipërisë etnike.
Shqiptarët do ta mbrojnë Plavën e Gucinë prej pushtimit të Malit të Zi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por nuk do të mund ta mbrojnë në kohën e Luftërave Ballkanike. Dhe, si ta mbronin? E kishin të pamundshme të luftonin kundër fuqive të mëdha evropiane, kundër Rusisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilat, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër do të vendosin pa kurrfarë të drejte as historike, as etnike, që krahinën e Plavës dhe Gucisë t’ia dhurojnë Malit të Zi!
Prej atëherë këto dy qytete shqiptare, këta dy margaritarë në gjerdanin e qyteteve shqiptare, nuk do të jenë kurrë më as të rëndësishme, as të çmuara siç kishin qenë para vitit fatal 1912. Ato nuk do të zhvillohen; ato nuk do të rriten as me popullsi shqiptare e as me mirëqenie jetësore. Përkundrazi: politika që do të bëjë Mali i Zi ndaj tyre, politika shpërfillëse, madje asimiluese, do të sjellë boshatisjen e tyre të ngadalshme por të vazhdueshme prej popullsisë shqiptare. Kjo politikë, në mënyrë më pak a më shumë të sofistikuar, po vazhdon edhe sot.
Shqipëria dhe Kosova e kanë për detyrë kombëtare dhe demokratike të bëjnë çka edhe mund të bëjnë që Republika e Malit të Zi ta ndryshojë politikën e saj të sotme, të përshkuar prej trysnish të ndryshme, ndaj popullsisë së Plavës e Gucisë. Dhe të bëjnë çka mund të bëjnë me qëllim që Krahina e Plavës e Gucisë – ky margaritar natyror gjeografik, me bukuri të papara diku tjetër në Evropë, të ruajë karakterin etnik që e ka pasur gjatë historisë së saj dhe të bëhet parajsë e ardhshme turistike.
/Emisioni “Shqip”, Top Channel/