Plavë-Gucia – Zemra e Alpeve Shqiptare që po shuhet në heshtje!

Nga: MUSA KURTUAJ

Krahina e Plavë-Gucisë, padrejtësisht e shkëputur nga trungu amë – Shqipëria – nga vendimet famëkeqe të Kongresit të Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, sot administrohet nga Mali i Zi. Pushtimi i saj nga forcat serbo-malazeze u shoqërua me një politikë të hapur asimilimi dhe shpërnguljeje të shqiptarëve autoktonë.

Historia e saj është e larë me gjak e qëndresë, nga lufta heroike e Nokshiqit me simbolin frymëzues – legjendarin Jakup Ferri – e deri më sot. Kjo trevë nisi të parën rezistencë kundër copëtimit të tokave shqiptare që filloi me vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit.

Plavë-Gucia është hapësira natyrore-malore më e çmuar e kurorës së Alpeve Shqiptare – një bukuri natyrore magjepsëse – por e goditur rëndë nga politika shekullore e spastrimit demografik. Sot, shqiptarët vendas nuk arrijnë as 10% të popullsisë së dikurshme. Shumica kanë marrë rrugët e mërgimit – nga Gjermania deri në SHBA – duke u kthyer vetëm gjatë verës për të prekur tokën e të parëve.

Kjo shpërngulje masive rrezikon të fshijë nga kujtesa origjinën. Vitet kalojnë, brezat e rinj lindin e rriten larg vendlindjes, dhe frika më e madhe është që një ditë fëmijët e tyre të mos dinë më se janë shqiptarë të Plavë-Gucisë.

Nuk mund të presim që Podgorica zyrtare t’i regjistrojë – kjo nuk do të ndodhë kurrë! Në këto kushte, është urgjente ngritja e një Forumi Mbarëkombëtar të Shqiptarëve të Plavë-Gucisë, i formuar nga vetë shqiptarët e kësaj treve, për të regjistruar e bashkuar në një listë të gjithë shqiptarët kudo në botë. Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare, si kryeqytetet e dy shteteve shqiptare në Ballkan, duhet të ndiejnë më shumë përgjegjësi dhe të angazhohen realisht për fatin e kësaj krahine, e cila është pjesë e pandarë e historisë sonë kombëtare.

Çdo ditë që kalon pa veprim është një hap më afër humbjes së njerëzve dhe identitetit të kësaj treve shqiptare. Nëse sot nuk ngrihemi për ta regjistruar dhe dokumentuar Plavë-Gucinë, nesër do ta kujtojmë vetëm si një kujtim të bukur në fotografi të vjetra.

Koha për të vepruar është tani! Nesër është vonë – madje shumë vonë!

ish posta e ushtrisë serbo -.malazeze që ruante shqiptarët të mos e kelojnë kufirin shqiptaro – shqiptarë.

Komuna e Gucisë