Pos “Shotës”, Shqipëria këtë vit pritet të prodhojë edhe mjete tjera të blinduara

Shqipëria pritet të prodhojë edhe automjete tjerë të blinduara brenda 2025-së, pos “Shotës”.

A2CNN shkruan se Arjeta Puca, administratore e TIMAK-ut, ka thënë për ta se janë në bashkëpunim me disa kompani të huaja dhe se këtë vit besojnë që do të prodhojnë edhe disa makina ushtarake “Shota”.

“Nuk do të jetë thjesht një prototip, por një automjet që vepron në terren”, tha Puca.

Sipas saj, edhe shtetet e tjera i kanë hedhur sytë te mjetet ushtarake që do të prodhohen në Shqipëri.

“Ne kemi dëshirë që ta nisim me Shqipërinë, por kemi edhe shumë kërkesa nga Gjermania, Polonia, Ukraina e madje Greqia me të cilën jemi në bisedime dhe besojmë se sivjet do të kemi edhe prodhimet e para”, u shpreh Puca.

Në kuadër edhe të marrëveshjes 10-vjeçare për Bashkëpunimin e Sigurisë dhe Mbështetjen Afatgjatë ndërmjet Kievit dhe Tiranës zyrtare firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodymyr Zelensky në Davos të Zvicrës në janar, disa automjete të blinduara do të shkojnë në Ukrainë.

“Ne kemi prodhuar autoambulanca për Ukrainën. Jemi në bisedime edhe për “Shotën”, u shpreh Puca.

Sipas A2CNN, automjetet e blinduara që janë në proces prodhimi do të jenë me peshë rreth 7 tonë. Ato pritet të jenë gati për Forcat e Armatosura në fund të vitit.