Prej qelie në qeli… – Bisedë me Ajshe Gjonbalajn, ish-e burgosur politike

“Intervistë e revistës Kosovarja”

Ajshe Gjonbalaj, nga Vuthaj, e burgosur politike e viteve 80, ka qenë pjesëmarrëse e demonstratave më 1968 dhe 1981, ku edhe është dënuar me burg 13 vjet, e që shtatë prej tyre i ka vuajtur në disa burgje, e shumicën në burgun e Pozharevcit, në Serbi.

“Kosovarja”: Kush është Ajshe Gjonbalaj?
Ajshe Gjonbalaj: – Jam e lindur më 1 tetor 1948, në Vuthaj, në Mal të Zi. Shkollën fillore e kam kryer në Vuthaj, normalen në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më 1971. Kam punuar dy vjet në vendlindje, kurse 11 vjet në Shkollën fillore “Ganimete Tërbeshi” në Llukar, komuna e Prishtinës. Jam pjesëmarrëse e demonstratave të vitit 1968 në Pejë. Në Prishtinë mora pjesë në demonstratat e vitit 1981. Më arrestuan më 23 mars 1984, në Prishtinë, në vendin e punës ku punoja, pra në shkollë, në Llukar. Dënimin me burg e mbajta nga 23 mars 1983 deri më 29 nëntor 1990. Tash jetoj në SHBA. Momentalisht ndodhem për pushim në vendlindje, por edhe në Prishtinë. Nuk jam martuar asnjëherë.

“Kosovarja”: Na flisni për fëmijërinë tuaj?
Ajshe Gjonbalaj: – Prindërit e mi kanë qenë shembullorë. Babai Ramë Qerim Gjonbalaj dhe nëna Zojë Balidemaj, janë kujdesur shumë për ne dhe shkollimin tonë. Kemi qenë katër motra e dy vëllezër dhe prindërit e kanë shitur kafshatën e gojës për të na shkolluar. Deri në moshën 15 vjeçe kam qenë nxënëse në dy shkolla: në Vuthaj e Guci, kurse pas kësaj moshe jam ndarë nga prindërit për të vazhduar shkollimin në Pejë. Prindërit nuk punonin askund, andaj janë munduar shumë për ne, fëmijët, duke u marrë me gjëra të bujqësisë. Na kanë shkolluar e rritur me shumë mundime… Ishte vështirë të kërkonim para nga babai, kur e dinim se nuk ishte në marrëdhënie pune… Këmbë nga Vuthaj në Pejë!

 “Kosovarja”: Keni bërë udhë në këmbë nga Vuthaj në Pejë. Na i tregoni detajet e asaj sfide?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur erdha të regjistrohesha në Pejë, erdha me nënën. Ajo hipur në kalë, kurse unë ecja këmbë. Dhe, nga ajo kohë e deri në fund të shkollimit tim, për çdo festë unë dhe nxënësit tjerë të anës sime shkonim në vendlindje. Pra, udhëtonim nga Vuthaj në Pejë dhe anasjelltas. Kalonim kah vendi “Qafa e diellit” nëpër Çakorr. Dimrit binte borë e madhe në Çakorr. Ishte rrugë me rreziqe… Sa herë që udhëtonim, kah ora 2 pas mesnate, takoheshim ne, nxënësit, nga fshati Martinaj, Gucia, Plava, Vuthaj dhe vendet e tjera dhe niseshim bashkërisht për në Pejë dhe anasjelltas. Vetëm nga Peja për në Kuqishtë bënim 4 orë e gjysmë në këmbë. E, ku pjesa tjetër e rrugës?

“Kosovarja”: A keni pasur rastin të keni probleme me ndonjë nxënës gjatë rrugës?
Ajshe Gjonbalaj: – Ka ndodhur ndonjë nga nxënësit në rrugë edhe të sëmurët nga udhëtimi i gjatë. Dhe, kur sëmurej ndonjë nxënës rrugës, ia fërkonim fytyrën me borë. Unë isha më e vogla prej të gjithëve, se kishte edhe më të moshuar. Mbaj mend që më caktonin të ecja e para, t’më kishin nën përkujdesje si më të voglën e grupit, ashtu që t’më kishin në çdo moment para syve. Rruga, zakonisht, bëhej për festa, d.m.th., 4 herë çdo vit shkollor.

“Kosovarja”: Si u trajtonin në Pejë?
Ajshe Gjonbalaj: – Na trajtonin mirë. Rexhep Podrimja, profesor, më thoshte – ti je vajza ime, Avni Lama sillej mirë me ne, pastaj profesor Aliu, edhe ai ishte i shkëlqyeshëm, sikur edhe Sylë Dreshaj dhe Sali Likaj, që më kishte regjistruar në shkollë, në Pejë. Gjithashtu, ishin edhe të tjerët që na trajtonin shkëlqyeshëm dhe na donin shumë. Kishim autoritet të madh dhe shoqëri të mirë. Banoja në Pejë, kurse në vizitë shpesh më vinte nëna dhe, si gjithherë, rrugën e bënte hipur në kalë deri në Pejë.

“Kosovarja”: E, pasi e kreve shkollën në Pejë?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur e kreva shkollën normale në Pejë erdha në Prishtinë, për t’u regjistruar në SHLP. Pas kryerjes së SHLP-së u ktheva në vendlindje, ku edhe punova dy vjet rresht. Kisha dëshirë të punoja atje se kishte nevojë populli për mua, si të them, t’ua qel sytë… Por, shpejt rashë në sy të pushtetit, sepse asnjëri arsimtar deri atëherë në librin e kujdestarisë kurrë s’kishin shkruar shqip dhe unë isha e vetmja që e bëja në shqip raportin ditor. Unë nuk dija që ishte e ndaluar të shkruhej shqip. Dhe, neve, që ishim shkolluar në Kosovë, në Vuthaj na quanin nacionalistë. Drejtori malazez, Çedo Vukoviqi, më thirri të raportoja pse kisha shkruar shqip. Nuk e dija mirë serbishten. I erdhi rëndë drejtorit kur i thashë nuk di mirë serbisht. Ai e thirri ish-kujdestarin tim të klasës, arsimtarin Hysen Nimanin, që ishte bërë sebep të pranohesha në atë shkollë, dhe e urdhëroi t’më mësonte që edhe unë të shkruaja serbisht. Lind në burg e vdes në burg!

“Kosovarja”: Je burgosur. Si rrodhi ngjarja?
Ajshe Gjonbalaj: – 18 vetë na kanë burgosur. Ishim përcjellë në demonstratat e vitit 1981. Kryetari ynë i grupit ka qenë Rifat Kafexholli. Grupi ishte shumë aktiv dhe i guximshëm, aq sa na quanin “bombaçët”, grup që njiheshim si minues të Jugosllavisë! Dy net burg të rëndë i kemi mbajtur në Prishtinë, ditët tjera në Mitrovicë. Një vit u mbajtëm në burg nën hetime në Mitrovicë. Na kanë rrah shumë… Pastaj, na e shqiptuan dënimin në Prishtinë. Rifati u dënua me 20 vjet burg, unë me 13, kurse vëllai im, Beqiri, me 2 vjet. Nuhi Bunjaku me 15 vjet burg, Shaqir Ruhani me 15 vjet, Hazir Xhafolli me 12 vjet burg, Nazmi Krasniqi vdiq në qeli, në Pozharevc, në burgun qendror. (Interesante: Nazmiu ishte i lindur në burg nga nëna e burgosur dhe vdiq në burg, tash si i burgosur). Gjithashtu, shumë prej të burgosurve të grupit tonë kanë mbetur me pasoja të përjetshme, ku dy prej tyre edhe kanë vdekur në burg. Disa prej tyre edhe tash janë psikikisht keq, e disa me pasoja të tjera fizike. Sidoqoftë, të gjithë kanë qenë të  shkatërruar.

“Kosovarja”: Si ndodhi lirimi yt nga burgu?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur dola prej aty, mendova se ma ndërronin burgun. Lëshonin rrena të përditshme dhe nuk u besoja që lirohesha. Kam dal me rroba të burgut nga burgu i Pozharevcit. Më kishin amnistuar në festën e 29 nëntorit për Jugosllavi, më 1990. Ishte amnistia e fundit për lirime politike në atë shtet.

 “Kosovarja”: A ke qëndruar edhe në qeli të burgut?
Ajshe Gjonbalaj: – Në Pozharevc kam bërë burg qeli më qeli. Në një rast erdhi të na vizitonte Kryqi i Kuq dhe policja më tha se më kërkonte dikush për vizitë. Unë bëhesha se nuk kuptoja gjë. Kisha dyshimin se vinin nga Beogradi t’më provokonin, pasi shpesh ndodhte kështu. Shokët e mi i kishin thënë Kryqit të Kuq t’më intervistonin si rast i veçantë. Kërkuan nga unë t’u tregoja se si më trajtonin në burg. U tregona në hollësi për të gjitha torturat… Në fund, ua dhashë dorën e u thashë: “Unë u tregova gjithë çka kanë bë në mua…”. Pse të frikësohesha të tregoja kur e dija se edhe ashtu do më maltretonin edhe në të ardhmen, siç ishte edhe në kohën e shkuar… Bile, të tregoja krejt se çka ndodhte aty… Pasi kryen punë ata shkuan. Dhe, në fillim të atyre ditëve nuk më ndëshkuan për ato që i thashë. Pas një muaji i nxorën do kushte që nuk mund t’i bëja, andaj 6 javë më dënuan të qëndroja në qeli të errët, duke fjetur në dysheme. Për fat të keq, në burgun e Pozharevcit ka qeli të rënda dhe unë kam kaluar nëpër  4-5 sosh…

“Kosovarja”: Na e përshkruaj ndonjë detaj në qeli?
Ajshe Gjonbalaj: – Një nate të ftohët, kah gjysma e natës jam zgjuar nga të ftohtit dhe kam filluar të lëviz nëpër qeli. Nga lëvizja e gjatë u nxeha dhe para mëngjesit përsëri më kishte zënë gjumi… Por, më zgjuan udbashët, duke bërtitur: “A hala gjallë qenke bre nënën…”. Kishin pritur të vdisja në qeli nga të ftohtit e madh që bënte ato ditë… Prandaj, e kuptova pse më mbanin mu në atë qeli… Edhe një rast tjetër interesant: në burg ishte radioja, nga e cila lëshonin muzikë serbe. Radioja ndodhej në fillim të korridorit të gjatë. Një ditë, kur më erdhi radha ta pastroja korridorin, u afrova te radioja dhe fillova t’i ndërroja stacionet. Për çudi, hasa në “Radio Kukësin”, e që në atë moment ishte duke kënduar Dervish Shaqa! Ishte kënga “E lashë verë e gjeta dimër”. Dhe, ato pak çaste, derisa nuk ma ndërruan stacionin, m’u duk se fluturoja maleve të Malësisë së Madhe… Por, u bë bujë e madhe se kush e kishte lëshuar radion, e unë nuk pranoja kurrsesi… Por, pas pak u zbulua se unë e kisha bërë një gjë ttë tillë…

“Kosovarja”: Dhe, cili ishte dënimi?
Ajshe Gjonbalaj: – Më dënuan të punoja punë të rënda, të bartja paketa të rënda, e që në to ndodheshin shporet elektrik. “Kosovarja”: Si ishte momenti i lirimit? Ajshe Gjonbalaj: – Ishte festa e 29 nëntorit dhe unë kisha përfituar lirimin si e amnistuar. Lirimi im ishte amnistia e fundit që ndodhi në Jugosllavi. Mendoja se ma ndërronin burgun dhe nuk kisha idenë se më lironin. Por, një gjë e tillë edhe ndodhi…

Safet Krivaça