Prej të premten në Mal të Zi hapen objektet hoteliere, hiqet ndalimi i lëvizjes dhe lejohet komunikacioni ndërurban

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Duke u bazuar në situatën mjaft të volitshme epidemiologjike dhe avancimin e saj të volitshëm, Trupi nacional koordinues për sëmundje infektive në mbledhjen e djeshme (të martën), ka prurë disa masa lehtësuese për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, zbatimi i të cilave do të fillojë prej të premten më 15 maj në tërë territorin e Malit të Zi.

Prej ditës së premte fillon puna në të gjitha objektet hoteliere, hiqet ndalimi (kufizimi) i lëvizjes prej orës 23 në natës deri në atë 05 të mëngjesit, hapen plazhet dhe banjot e hapura. Prej të premten hiqet ndalimi i komunikacionit ndërurban për automjete të udhëtarëve dhe taksi automjeteve, kurse prej të hënën më 18 maj hapet transporti publik rrugor dhe herkurudhor, e të gjitha këto me respektim të masave dhe rekomandimeve të organeve relevante të Qeverisë së Malit të Zi.

Në konferencën për media të Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive të mbajtur dje në ora 17:00, përfaqësuesit e tij: udhëheqësi (menaxhuesi) i Shtabit të emergjencës medicinale prof. dr. Ranko Llazoviq dhe ndihmës drejtori i Institutit për shëndetin publik, dr. Senad Begiq, në elaborimet e veta disa minutëshe, koncize analitike dhe gjithëpërfshirëse, kanë dhënë një vistër të dhënash mbi rrjedhat e situatës epidemiologjike, e pastaj drejtpërdrejtë janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve të pranishëm.

Prof. dr. Ranko Llazoviq kumtesën e vet kronologjike, koncize e shumëpërfshirëse 15 minutëshe ia ka kushtuar sistemit shëndetësor në Mal të Zi gjatë gjithë kohës së pandemisë Covid-19, duke dhënë me shifra e fjalë argumente e fakte lidhur me punën e institucioneve shëndetësore të përgjithshme dhe speciale në kushte epidemiologjike.

Kolegu i tij, dr. Senad Begiq, elaborimin e vet të shkurtër, por konciz e shumëpërfshirës, ia ka kushtuar situatës momentale epidemiologjike. Ka theksuar se në 243 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare gjatë 24 orëve të fundit, pikërisht deri dje në ora 16:50, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus, duke bërë me dije se dje ka qenë dita e tetë radhazi dhe e 15 prej fillimit e deri më tani pa raste të reja të regjistruara me koronavirus dhe se fatbardhësisht numri total i të infektuarve ka mbet i pandryshuar – 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare. Me kënaqësi është shprehur se numri i të shëruarve nga virusi Covid-19 është në rritje të vazhdueshme. Në testimet laboratorike në 24 orëve të fundit edhe katër persona kanë rezultuar negativ në koronavirus (2 në Tivarë dhe nga 1 në Podgoricë dhe Plavë) ashtu që numri i tyre ka arritur në 298. Numri i të infektuarve aktiv është në rënie të dukshme. Kanë mbetur edhe 17 të prekur aktiv në pesë komuna: në Ulqin – 10, në Guci – 3, në Podgoricë – 2 dhe në Tivarë e Bijello Pole nga 1. Ka bërë me dije se mesatarja e moshës së 324 personave të prekur është 42 vjeçare, kurse ajo e nëntë personave të vdekur – 70 vjeçare dhe se pasojë e vdekjes së tre të sëmurëve është koronavirusi, kurse për gjashtë të tjerë edhe koronavirusi.

Është konfirmuar se në laboratorët mikrobiologjik deri më tani është bërë testimi i 10.257 mostrave të dyshuara, prej të cilave pozitiv kanë rezultuar 324 sosh dhe se nën mbikëqyrje janë 1133 qytetarë.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-23,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-7,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Edhe në shtetet e rajonit situata epidemiologjike është në përmirësim e sipër. Numri i rasteve të reja me koronavirus është në rënie, kurse ai i të shëruarve në rritje, ku më shumë e ku më pak. Numri i të vdekurve po ashtu është në rënie.

Sipas të dhënave të instituteve të tyre relevante, në 24 orët e fundit ka këta parametra:

– Në Shqipëri: 880 të infektuar, 688 të shëruar dhe 31 të vdekur;

– Në Kosovë: 919 të infektuar, 671 të shëruar dhe 29 të vdekur;

– Në Serbi: 10243 të infektuar, 3600 të shëruar dhe 220 të vdekur;

– Në Kroaci: 2207 të infektuar, 1808 të shëruar dhe 91 të vdekur;

– Në Bosnje e Hercegovinë: 2181 të infektuar, 1228 të shëruar dhe 120 të vdekur;

– Në Slloveni: 1463 të infektuar, 260 të shëruar dhe 103 të vdekur dhe

– Në Maqedoninë e Veriut: 1694 të infektuar, 1229 të shëruar dhe 95 të vdekur.