11 qershor 2025
Washington, D.C. – Martin Vulaj, President i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), është takuar me Senatorin amerikan Bill Hagerty (R-TN), anëtar kyç i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe ish-kandidat i rëndësishëm për postin e Sekretarit të Shtetit gjatë administratës Trump. Senatori Hagerty, i njohur gjerësisht si zgjedhja e dytë pas Senatorit Marco Rubio për këtë post, sjell përvojë dhe ndikim të madh në politikat e jashtme dhe çështjet strategjike globale.
Në qendër të takimit ishte nevoja gjithnjë e më urgjente për të kundërshtuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Z. Vulaj dhe Senatori Hagerty diskutuan rëndësinë e një pranie më të fortë dhe më të dukshme të SHBA-së në rajon, duke theksuar se tërheqja e SHBA-ve rrezikon t’i lërë terren fuqive autoritare me ambicie gjeopolitike afatgjata në Evropën Juglindore.
Një temë qendrore ishte dialogu në vazhdim Kosovë-Serbi. Të dy palët ranë dakord se njohja reciproke duhet të mbetet qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Z. Vulaj bëri thirrje për rritjen e presionit diplomatik amerikan ndaj katër vendeve anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se ky qëndrim dëmton besueshmërinë dhe unitetin e aleancës.
Gjithashtu u diskutua rëndësia strategjike e përfshirjes së Kosovës në NATO dhe integrimi më i gjerë evropian i Ballkanit Perëndimor. Z. Vulaj vuri në dukje se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE është thelbësore jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për ruajtjen e vlerave demokratike përballë ndikimeve të huaja të dëmshme.
Takimi u përmbyll me një riafirmim të aleancës së fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një aleate e besueshme e NATO-s që vazhdon të luajë një rol kyç në sigurinë transatlantike dhe diplomacinë rajonale.
“Përkushtimi i Shqipërisë ndaj NATO-s dhe vlerave demokratike e bën atë një partnere thelbësore për avancimin e interesave të SHBA-së në Evropën Juglindore,” tha Vulaj. “Diskutimi me Senatorin Hagerty tregoi edhe një herë konsensusin dypartiak se Ballkani Perëndimor ka rëndësi – dhe se SHBA duhet të udhëheqë, jo të ndjekë.”
