Në juglindje të liqenit të Plavës gjendet fshati i moçëm i Hotit, dokumentuar me këtë emër që në 1330. Njihet edhe si Hoti i Kujit, ose Hoti i Vendit ose Hoti i Plavës, për t’u dalluar nga Hoti në Malësinë e Madhe mbi Shkodër.
Prejardhja e banorëve të këtij fshati dhe lidhja e mundshme me Hotin mbi Shkodër kishin mbetur të paqarta pasi ka disa hipoteza që nuk përputhen plotësisht me njëra-tjetrën. Dr. Edmond Malaj thotë se Hoti mund të ketë lëvizur nga Plava në territorin e bajrakut të sotshëm në Malësi të Madhe, kurse një gojëdhënë e njohur thotë se është Hoti i Kujit që vjen nga vëllazëria Dedëvukaj e Hotit mbi Shkodër.
Sipas gojëdhënes, Hoti i Kujit vjen nga vëllezërit Gjon e Gjokë Deda të Dedë Nikës. Bajrakun e kishte dera e Gjon Dedës, mirëpo pasardhësit e Gjokës u shtuan më shumë dhe formuan vëllazëritë e sotshme Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj e Mehaj. Ka edhe versione të tjera me emra pak të ndryshëm po gjithsesi ruhet tradita e prejardhjes së përbashkët të vëllazërive të fshatit.
Kohët e fundit në projektin tonë u testuan dy persona nga fshati Hot i Kujit. Njëri është pasardhës i Gjon Dedës, tjetri i Gjokë Dedës nga vëllazëria Sinanaj. Rezultati i të dyve ishte i njëjtë:
J2b-L283>PH1751>Z38299>Y290702 .
Këto dy rezultate vërtetojnë përtej çdo dyshimi prejardhjen e përbashkët këtyre të vëllazërive të Hotit të Kujit, pra gojëdhëna është e saktë të paktën në këtë pikë. Me qenë se këto dy familje vijnë nga dy degë që lidhen vetëm te i pari i fisit, të gjitha vëllazëritë e tjera, ose të paktën shumica dërrmuese duhet të kenë të njëjtën prejardhje. Po ashtu, në projektin boshnjak të ADN-së janë testuar disa persona nga Sanxhaku me mbiemër Hot, të cilë i takojnë gjithashtu kësaj linje atërore, prandaj prejardhja e tyre sigurisht është nga fshati Hot në Plavë.
Prejardhja më e largët e Hotit të Kujit mbetet e lidhur me trojet veriore shqiptare. Siç kemi thënë më herët, linja atërore J2b-L283>PH1751 është karakteristike e shqiptarëve e sidomos gegëve, dhe me siguri rrjedh nga fiset e lashta të Ballkanit perëndimor dhe ka qenë pjesë e etnogjenezës shqiptare. Duke qenë se jashtë fshatit Hot dhe një personi me fis Kastrat nga Gucia, rezultati më i afërt vjen nga një familje me prejardhje nga Shqipëria juglindore, ndoshta vendi i përbashkët i origjinës mund të ketë qenë në jug ose juglindje të Alpeve Shqiptare.
Sa i takon Hotit në troje të tjera shqiptare, mund të themi me siguri që Hoti i Kujit nuk lidhet gjenetikisht as me fisin kryesor të Hotit në Malësi të Madhe, as me disa familje hotjane që mendohet se kanë prejardhje nga Hoti i Plavës (psh: Berbati në Tropojë janë të vijës atërore R1b-Z2705). Pra, deri tani nuk ka prova që të mbështesin prejardhjen e Hotit të Kujit nga Hoti në Malësi të Madhe, as anasjelltas.
Për Hotin në përgjithësi do të shkruajmë më gjerësisht së shpejti, pas përfundimit të disa testeve nga vëllazëri ende të papërcaktuara gjenetikisht nga Hoti në Malësi të Madhe.
Pemën e mëposhtme gjenealogjike ashtu si e paraqet gojëdhëna mund t’a gjeni te faqja plav_gucia në Instagram, bashkë me informacione të tjera mbi fiset e Plavës dhe Gucisë:
https://www.instagram.com/plav_gucia/.
PS
Projekti Shqiptar i ADN-se Rrënjët është një platforme ku shqiptarët që kanë kryer teste gjenetike mund të regjistrojnë rezultatet e tyre, për të pasur mundësi t’i krahasojnë me rezultatet e databazës shqiptare, si dhe me rezultate të tjera publike nga popullsi të lashta dhe bashkëkohore. Projekti drejtohet dhe mirëmbahet nga vullnetarë dhe secili është i mirëpritur të marrë pjesë.