Provokim i rëndë i Serbisë, heq flamurin shqiptar nga lapidari i dëshmorit

Një provokim i rëndë ka ndodhur në fshatin Konçul të Bujanocit, ku persona të panjohur kanë njollosur lapidarian e dëshmorit të parë të UÇPMB-së Fatmir Ibishi dhe nga aty kanë larguar flamurin shqiptar, për të vendosur një flamur serb.

Mirëpo, është Shqiprim Musliu, zv. Kryetar i komunës së Bujanocit, ai që me disa bashkëpunëtorë të tij kanë  kthyer në vend flamurin shqiptar, dhe kanë larguar atë serb, të vendosur tek lapidari i Fatmir Ibishit, të cilit i është përdhosur edhe emri.

“Prej këtu njoftoj faktorin ndërkombëtar, si garantues i marrëveshjes së Konçulit dhe e njoftoj të jetë në dijeni se çdo ditë po provokohen shqiptarët në shtëpitë e tyre edhe aty ku është autokton.

Dhe na provokojnë në pjesën më të ndjeshme, tek dëshmorët. Nga ky moment do ta largojmë këtë flamur që nuk na përfaqëson neve, nuk përfaqëson shqiptarët e këtij vendi. Bëj apel që të përcillet ky mesazh se po provokohet çdo shqiptar”, ka thënë Musliu.

Ai ka lutur faktorin ndërkombëtar që ta marrë seriozisht gjendjen në Luginën e Preshevës.