Qeveria e re e Malit të Zi pritet të zgjidhet më 28 prill në Cetinë: Abazoviq prezanton programin e Qeverisë

Mandatari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Podgoricë, 20 prill 2022.

Shtylla kyçe të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, tha mandatari për kryeministër, Dritan Abazoviq, në ekspozenë e dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi.

Qeveria e re e këtij vendi pritet të zgjidhet në një seancë parlamentare, që do të mbahet më 28 prill në Cetinë.

Atë pritet ta përbëjnë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Qeveria e re pritet të ketë 46 deputetë, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Qeveria pritet të ketë mbështetje parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq.

Por, ajo kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar.