Rasti i vdekjes së oficerit Elezoviq –A akoma nuk dihen as arsyet ?

Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë nuk ka marrë ende një raport zyrtar të autopsisë lidhur me  shkakun e vërtetë të vdekjes së oficerit të policisë Rudolf Elezoviq, trupi i pajetë i të cilit u gjet në orët e vona të mbrëmjes së 8 qershorit, në lumin Buna në afërsi të fshatit Shëngjergj.

Familja raportoi zhdukjen e tij më 27 maj, dhe pas disa ditësh kërkimi, oficerët nga sektori i policisë kufitare gjetën trupin e tij në lum. Zëdhënsja e Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, Lepa Medenica, i tha “Vijestit” se çështja është në fazën e hetimit dhe se po ndërmerren një numër i “masave dhe veprimeve të nevojshme për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes”.

Si dhe në çfarë rrethanash ndodhi vdekja e Elezoviq do të jetë më e qartë kur raporti i autopsisë dorëzohet në prokurori, i cili duhet të sqarojë nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo vrasje, si dhe kohën e përafërt kur ndodhi vdekja.

Sipas “Vijesti”, policia gjeti një armë në lum gjatë hetimeve, por vetëm pas ekspertizës do të dihet nëse është arma nga e cila u qëllua plumbi dhe nëse kalibri korrespondon me plagën në kokë të oficerit të policisë. Për shkak të hetimit, Prokuroria e Lartë e Shtetit nuk zbuloi  detaje, dhe nuk iu përgjigjën pyetjes nëse janë gjetur akoma telefoni celular i Elezoviq dhe makina e tij. Sipas burimeve jozyrtare, natën kur u largua nga shtëpia, Elezoviq i tha familjes se do të takonte dikë dhe se nuk kishte armë me vete.  Po sipas këtyre burimeve, Elezoviq dyshonte se dikush brenda strukturave policore po tentonte ta kompromentonte duke e paraqitur si bashkëpunëtor të kriminelëve. Deri tani, asgjë nuk dihet me saktësisht rreth arsyeve që çuan në ketë tragjedi, përveç faktit se çdo gjë ndodhi pas dëshmisë së një prej të arrestuarve në aksionin “Kurthi” , i cili mendohet se ka emëruar zyrtarë të lartë të policisë së shtetit si të lidhur me krimin e organizuar.

B.Çoba