Në lidhje me deklaratat e autoriteteve malazeze për bustin e atdhetarit dhe figurës së shquar të Vuthajve, Isuf Kamer Çelaj, ka reaguar sot edhe mbesa e tij, aktivistja e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan, znj. Lujeta Prelvukaj, me një shkrim emocionues dhe përmbajtjesor në profilin e saj në Facebook.
Postimi i plotë i znj. Lujeta Prelvukaj:
Kur Preka Faqen e Gjyshit për Herë të Parë
Dita e inaugurimit të bustit të Gjyshit tim, Heroit – DajGjyshit Isuf Kamer Çelaj, në Vuthaj, ishte një nga çastet më të paharrueshme të jetës sime. Dora ime preku faqen e tij të gdhendur në bronz… dhe nuk munda ta lëviz më.
Pesha e asaj prekjeje më ktheu në fëmijë – të vogël përballë madhështisë së një burri që dha jetën për liri.
Mu kujtua tregimi i Gjyshes, Nën-Dajës – Fatime Arifja, që më kishte rrëfyer për mëngjesin e fundit të tyre. Mu rikthyen fjalët që ia kishte thënë:
“Sot është dita e fundit – ose e imja, ose e djalit tonë të vetëm, Elezit.”
E pyeta me habi:
“Si e le të shkojë, Gjyshja, eh moj bij?”
Ai më tha:
“Burrat flasin një herë. Kam dhënë besën – do t’u prij çetës në pritë çetnikëve, për të mbrojtur nderin dhe kufijtë shqiptarë.”
Pastaj më puthi në ballë… dhe iku. Nuk u kthye më.
Historia jonë nuk fshihet dot. Plava e Gucia kanë kaluar shumë luftëra. Emri i Gjyshit tim, i përmendur në Parlament nga qarqe çetniko-serbo-malazeze për t’u fshirë, është emër që nuk shuhet – ashtu si gjaku i katër brezave të familjes sonë te vrar më 1999 nga bandat çetnike.
- Baba Beqir Prelvukaj
- Axha Gani Prelvukaj
- Motra e zhdukur Lendita Deli Prelvukaj (18 vjeç)
- Gjyshi Isuf Kamer Çelaj
- Babagjyshi Lel Lami Prelvukaj
Të vrarë e të zhdukur pse ishin shqiptarë.
Kultura nuk është dekor, por pranim i historisë dhe garanci e të drejtave për të gjithë. Shqiptarët nuk harrojnë. Nuk ndalen.
Uroj të realizohet sa më shpejt amaneti i Gjyshit tim që prehet në Vranicë – që me një sy të shohë Shqipërinë e me tjetrin Plavën e Gucinë.
Kush na verboi?
Kush na mori librat?
Kush na ndali këngët tona, që bartin historinë ndër shekuj me aq fanatizëm?
Është koha për vetëdije, shkollim e bashkim. Sepse historia nuk fal harresë.
E shkruaj këtë rrëfim sot, sepse është dita kur Ministrja e Kulturës së Malit të Zi, dr. Tamara Vujoviq, deklaroi se vizitoi Vuthajn, ku ende gjendet busti i Isuf Kamer Çelaj, sipas saj, i vendosur kundër ligjit. Busti ndodhet përballë oborrit të shtëpisë. Lexova se ajo është mjeke me profesion – dhe nuk e kuptoj si mund të mbajë një qëndrim kaq shovinist edhe në ditët e sotme.