Reagim ndaj një dukurie të shëmtuar

BINAK ULAJ

Është për t’u çuditur se si disa familje shqiptare të krahinës së Plavës e Gucisë ende po ngurrojnë të heqin dorë nga një zakon që s’i nderon më, nga i cili kanë hequr dorë edhe zona më skajore. Kur ndodh të ndërrojë jetë ndonjë familjar i tyre, në pritjet për ngushëllime, në të pame, siç i quajmë, u qesin duhan qytetarëve të shumtë që vijnë për ngushëllime. Arsyetimet: “Ndokush mund të mendojë se nuk qesim duhan nga koprracia! Tjetri mund të thotë: Ja ç’rëndësi i japin lamtumirës së fundit…”, nuk qëndrojnë. Në Plavë e Guci tani nuk ka familje shqiptare e cila nuk është në gjendje t’i blejë dhjetë a njëzet pako cigare. Numri i duhanxhinjve është fare i vogël dhe pirja e duhanit në mjedise të mbyllura është shpërfillje e normave të qëndrimit e sjelljes së shqiptarëve të kësaj treve, të cilët i kanë respektuar e respektojnë vullnetin e shumicës, jo huqet e ndonjë individi. Edhe në të kaluarën, shqiptarët e kësaj ane, sa herë kanë pasur mundësi e s’janë penguar me masa shtetërore, i kanë përqafuar normat e reja qytetëruese që sjellin zhvillimet shoqërore. Shembull për këtë është shkollimi i numrit të të rinjve e të rejave të kësaj treve, ndonëse me shumë mund e sakrifica. Sot, mjerisht, edhe ndonjë i shkolluar, ngurron t’ ua prishë “ruajtësve” të një zakoni anakronik, që cenon kulturën qytetare dhe lë përshtypje të keqe te miqtë e ata që vijnë nga vise tjera. Njeriu e ka vështirë ta kuptojë se si e ndien veten, veçmas një i ri, i cili edhe aty ku janë të vendosura shenjat e ndalimit, pi duhan. A mendon ai se ç‘përshtypje lë? Ndonjë i moshuar edhe mund të kuptohet, por jo të arsyetohet që s’ duron dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta pa pirë duhan, sa zakonisht rrinë ngushëlluesit.
Shtëpia e Kulturës në Martinaj, e më pas në Vuthaj dhe së fundi, ajo në Kukaj, janë ndërtuara falë atdhedashurisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgim, kryesisht atyre nga SHBA-të, por edhe nga shtete tjera, të cilët kanë ndarë mjete të konsiderueshme për ndërtimin e pajisjen e tyre nga buxheti familjar, të fituara me shumë mund. Ato janë ndërtuar kryesisht për aktivitete të ndryshme kulturore. Shtëpia e Kulturës në Vuthaj e ka edhe sallën e bibliotekës, dhomën e mjekut dhe të infermieres, që nuk janë në funksion për shkak të “kujdesit të shtuar” të përgjegjësve shtetërorë për shëndetin e popullsisë së viseve shqiptare. Dy sallat kryesore të Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj i stolisin portretet e personaliteteve emërndritura, historike, ato të heronjve dhe të luftëtarëve vullnetarë të kësaj treve, apo që janë me prejardhje nga kjo trevë, e që u janë bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, me qëllim që banorëve t’u lehtësohet organizimi dhe pritja për ngushëllime, që të mos shpenzojnë për tenda, sallat e këtyre shtëpive shfrytëzohen edhe si salla të përmortshme. Salla e Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj, përveç oxhakut i ka të instaluara edhe aparatet elektrike “air konditioner” për rregullimin e temperaturës, pjesën e kuzhinës me sobë (shporet) elektrike për kafe, frigorifer për ruajtjen e ujit dhe të lëngjeve për ngushëlluesit. Madje, e ka edhe kthinën e veçantë me frigorifer me ngrirje të thellë për ruajtjen e kufomave derisa të arrijnë familjarët kur gjenden jashtë atdheut. Të gjitha këto janë siguruar me paratë e bashkatdhetarëve vuthjanë, të cilët e paguajnë edhe energjinë e shpenzuar elektrike dhe personin e preparatet për mirëmbajtjen e Shtëpisë së Kulturës. Vetëm për këto arsye, pa i cekur arsyet e tjera, moskujdesi për pastërtinë e këtij institucioni publik kulturor, me të cilin krenohemi, është edhe nënvlerësim, shpërfillje e mundit e djersës dhe e përkushtimit që tregojnë për ne e vendlindjen, bashkatdhetarët tanë në mërgim.