Zgjedhja e akademikut Rexhep Qosja për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe arsyet që ai ka dhënë për këtë vendim kanë ngjallur reagime të shumta.
Një ndër reagimet më të ashpra ka qenë ai i gazetarit Berat Buzhala, i cili madje e ka fyer rëndë akademikun Qosja, duke e quajtur atë dhe letërsinë e tij me një gjuhë denigruese.
Në lidhje me këtë, ka reaguar veprimtari nga SHBA, Ramazan Bekteshi, i cili ka kërkuar që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe institucionet përkatëse të marrin një qëndrim mbi këtë çështje.
“Reagimit absurd të Buzhalës ndaj Qosjes, a do t’i përgjigjen AGK-ja, Akademia, Shoqata e Shkrimtarëve, Universiteti, Shoqatat qytetare?”, ka pyetur Bekteshi.
Më tej, ai e ka cilësuar Buzhalën si një “gazetar” që nuk respekton normat profesionale dhe që shpesh përhap intriga dhe pavërtetësi.
“Një ‘gazetar’ që s’di apo s’do të shkruajë e të flasë shqipen standarde, që nuk mendon shqip, që përdor fjalë të ndyra si ‘komplimente’ në publik, që është mjeshtër i intrigës dhe pavërtetësisë – nuk dihet nëse me pagesë apo pa pagesë – që adhurohet në Serbi, që suksesin në veri e quan disfatë, ndërsa Grenellin e ka idol!”, ka shtuar Bekteshi.