Këshilli për reformën zgjedhore në Mal të Zi ka obligim profesional që më së fundi të realizoj në praktikë premtimet e dhëna qytetarëve për të ndryshuar ligjin zgjedhor, duke dëshmuar vullnetin politik në mes pozitës dhe opozitës, për ndryshime cilësore sipas standartëve demokratike evropiane për mjediset multinacionale dhe multikulturore për të aplikuar listat e hapura duke respektuar vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur të preferuarit e tyre që duhet të jetë çështje parësore në këtë reformë zgjedhore/
Shkruan: Nail Draga /
Ndër obligimet e shumta nga Qeveria e re, është edhe angazhimi për reformën zgjedhore, çështje e cila ka ngecur tash disa vite, duke mbetur vetëm dëshirë pa ndonjë angazhim konkret në këtë drejtim, pa konsenzus nga shumica dhe pakica parlamentare.
Por, formimi i këtij këshilli kohë më parë në kuadër të Parlamentit, dëshmon se shumica e re parlamentare kësaj çështje do ti qaset seriozisht, e jo si shumica e mëhershme e cila kishte deklarime të rastit, por konkretisht nuk ka realizuar asgjë. Duke marrë parasysh se në këtë vit në Mal të Zi do të mbahen edhe zgjedhje lokale në disa komuna, do të ishte e udhës të punohet sa më parë në këtë drejtim, duke ofruar zgjidhje të pranueshme dhe në favor të qytetarëve në këtë mjedis.
Sindromi i mosbesimit
Bëhet më dije se Këshilli për reformën zgjedhore, duhet deri më 30 qershor të këtij viti të përgatisë ligjet dhe aktet tjera për të siguruar kushtet për zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Por, duke marrë parasysh se ekziston sindormi i mosbesimit në mes shumicës parlamentare e opozitës aktuale, është e udhës të filloj dialogu, në mes palëve pjesëmarrëse. Dhe një dialog I tillë mund të realizohet, nëse ekziston vullneti politik për reformen zgjedhore, sepse sipas ligjit nevoitën dy të tretat e shumicës së deputetëve për përkrahje të ndryshimeve që për momentin duket së është mision i pamundur.
Por, duke marrë parasysh se në lidhje me këtë çështje ka punuar këshilli në përbërjen e kaluar, nga shumica e mëhershme parlamentare, duke përgatitur anën normative, andaj nuk duhet edhe shumë punë për të prezantuar kornizën bazë te ndryshimeve për ligjin zgjedhor.
Në sajë të rrethanave shoqërore në këtë mjedis duke ditur animozitetin në mes shumicës dhe opozitën parlamentare, nëse nuk arrihet kompromisi, do të ishte e udhës të kërkohet ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, për të ndikuar në arritjen e miratimit të ligjit zgjedhor.
Kompromisi i domosdoshëm
Në mjediset me demokraci të pakonsoliduar mos miratimi i një ligji të tillë është dëshmi se subjektet politike kësaj çështje nuk iu janë qasur në mënyrë serioze, sepse në rend të parë kanë dominuar interesat partiake dhe jo të qytetarëve në Mal të Zi. Përiudha e kaluar nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2016, e dëshmon një konstatim të tillë, sepse ndryshimi në ligjin për reformën zgjedhore, meriton një qasje dhe trajtim të përgjithshëm, e jo të jetë angazhim dhe interes i vetëm disa partive politike.
Por, në periudhën e kaluar parlamentare e në veçanti në dy vitet e fundit në Mal të Zi në praktikë kishim një krizë politike e prezantuar me frymen kleronacionaliste, me përmasa të neofashizmit që ishte nën ombrelen kishtare të ortodoksizmit serb. Një dukuri e tillë u verejt me rastin me rastin e vendimit të opozitës për të bojkotuar parlamentin, ndërsa më vonë kulmoi me rastin e miratimit të ligjit të lirive fetare(dhjetor 2019), duke qenë katalizator destabilizues në skenën politike në Mal të Zi. Dhe nga një situatë e tillë, nuk ka pasur mundësi reale të miratohen ndryshimet në ligjin zgjedhor, andaj në zgjedhjet parlamentare(30 gusht 2020) është shkuar me ligjin ekzistues.
Kush do ti përfaqësojë shqiptarët?
Në këtë Këshill i cili përbëhet prej 14 antarëve, që janë nga 7 prej pozitës dhe opozitës, nuk kemi informacion se në këtë përbërje do të jetë ndonjë shqiptar. Fjala është për përfaqësues autentik të shqiptarëve i cili ka legjitimitetitn të flasë në emër të tyre. Dhe jo vetëm kaq, sepse duhet të trajtohen kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor, që do të jetë në favor të shqiptarëve dhe popujve tjerë pakicë në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se në ndryshimin e ligjit zgjedhor në vitin 2011, si pozita dhe opozita ishin bashkë, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtat e arritura, një qendrim i tillë nuk përjashtohet edhe tani, sepse kur janë në pyetje shqiptarët ata janë së bashku.
Në këtë aspekt shqiptarët do të ishte e udhës të jenë unik në kërkesat e tyre, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, partiake apo të klanëve të ndryshme në lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve si popull autokton në Mal të Zi. Andaj në këtë aspekt ka rëndësi të madhe për ne shqiptarët përfaqësimi dhe prezantimi i kërkesave tona sipas standardëve ndërkombëtare, për mjediset multinacionale dhe multikulturore sikurse është në praktikë Mali I Zi.
Mungon harmonizimi i ligjit me kushtetutën
Qytetarët e Malit të Zi nuk mund të realizojnë të drejtën zgjedhore sipas kushtetutës, sepse nuk kanë mundësi të zgjedhin në mënyrë të drejpërdrejtë përfaqësuesit e tyre. Zgjedhësit në Mal të Zi i japin legjitimitet Kuvendit, ndërsa ai përbëhet në kundërshtim me nenin 83 të Kushtetutës, dhe si i tillë është kundërkushtetues, sepse nuk paraqet vullnetin e zgjedhësve. Pikërisht në lidhje me këtë çështje nevoitet harmonizimi i ligjit zgjedhor me Kushtetutën e Malit të Zi, me qellim të respektimit të drejtës së zgjedhësve. Dhe një zgjidhje e tillë mund të realizohet përmes listave të hapura, ku qytetarët të votojnë kandidatët sipas preferencave të tyre.
Listat e hapura në favor të demokracisë
Në Mal të Zi nga miratimi i pluralizmit vazhdohet me praktikën e listave partiake, ku liderët e partive, vendosin renditjen definitive të listave zgjedhore, ku fillimisht vendosin vetën, e më pas bashkëpunëtorët më të afërt. Është pikërisht renditja e tillë e cila iu pamundëson qytetarëve të vendosin sipas vullnetit të tyre.
Ndonëse deri më tash në këtë aspekt ka pasur deklarime të rastit, e ate si zakonisht në fushatat zgjedhore, por, konkretisht nuk është bërë asgjë, sepse si pozita dhe opozita në këtë aspekt kanë pasur konsenzus të plotë. Nga një hezitim të tillë del qartë se ata i frigohen listave të hapura, duke manipuluar elektoratin votues për qellime të tyre personale, apo klanëve të ndryshme duke iu servirur listen partiake e cila nuk shpreh vullnetin e qytetarëve por të partive politike.
E drejta e mohuar e qytetarëve
Nuk ka dilemë së tretmani i tillë ndaj qytetarëve, dëshmon nënçmimin e tyre duke i trajtuar si të pa dënjë, përkatësisht vetëm si votues apo shërbëtorë. Andaj ka ardhur koha që të punohet për ndryshime, duke iu mundësuar qytetarëve të drejten e tyre të mohuar, si kudo në botën demokratike. Nëse do të ketë vullnet politik për të miratuar ndryshimet në ligjin zgjedhor, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ekzistojnë të gjitha gjasat që të votohet me lista të hapura që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare të standardëve evropiane.
Opinioni i gjerë e ka të qartë se nëse dëshirohet që premtimi për reformën zgjedhore të realizohet në praktikë, duhet të eliminohen interesat politike, të cilat deri me tash kanë qenë pengesa kryesore në mos miratimin e një ligji të tillë.
Andaj i mbetet shumicës aktuale parlamentare që në fokusin e veprimtarisë së tyre në këtë drejtim të angazhohën seriozisht për një kornizë të re zgjedhore, e jo për interesa të tyre politike, duke eliminuar paragjykimet, dukuri kjo e njohur vite me radhë në Mal të Zi si nga pozita dhe opozita, që është në kundërshtimin me interesat e qytetarëve.
(Janar 2021)