Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Rexhë Met Ulaj – tri dëshmi për jetën, tragjedinë dhe madhështinë e një intelektuali shqiptar

Nga Hys Ulaj

Historia e trevës së Plavës dhe Gucisë ka nxjerrë personalitete të shquara, të cilat, me dijen, veprimtarinë dhe përkushtimin e tyre, kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare. Ndër këto figura zë një vend të veçantë intelektuali nga Vuthajt, Rexhë Met Ulaj, jeta dhe fati i të cilit pasqyrojnë edhe tragjedinë e intelektualëve shqiptarë gjatë diktaturës komuniste.

Në shkrimin e mëposhtëm, autori Hys Ulaj sjell tri dëshmi domethënëse që ndriçojnë aspekte të jetës dhe të personalitetit të Rexhë Met Ulajt. Përmes kujtimeve të babait të tij, rrëfimit të intelektualit të shquar shqiptar, prof. Sami Repishti, dhe historisë së humanizmit të shkrimtares amerikane Rosa Wilder Lane, autori na sjell një kontribut me vlerë për ruajtjen e kujtesës sonë historike.

Portali “Plava e Gucia” e sjell këtë shkrim për lexuesit, në shenjë respekti ndaj figurës së Rexhë Met Ulajt dhe në funksion të njohjes e të përcjelljes ndër breza të historisë së personaliteteve të trevës sonë.

Tri dëshmi që lidhen me jetën e Rexhë Met Ulajt

Shkrimi I plotë:

Kujtimet e babait tim të ndjerë, rrëfimi i të ndjerit, prof. Sami Repishti, si dhe fisnikëria, kultura dhe humanizmi i dëshmuar nga shkrimtarja amerikane Rosa Wilder Lane përbëjnë tri dëshmi të veçanta që lidhen me jetën dhe fatin e Rexhë Met Ulajt.

Dëshmia e parë – Kujtimet e babait tim

Babai im tregonte për takimet që kishte pasur me Rexhën.

Në vitin 1939, Rexha kishte ardhur në Vuthaj, ku kishte folur për nevojën e hapjes së një rruge që do të lidhte Vuthajt me Shalën dhe Dukagjinin e Shkodrës.

Takime të tjera kishin ndodhur në periudhën dhjetor 1981 – janar 1982, kur babai im kishte shkuar për të vizituar nipërit e tij në Shkodër. Atje kishte takuar edhe Rexhën, i cili tashmë kishte dalë nga burgu.

Si kushërinj, gjatë bisedës kishin diskutuar edhe për familjet e tyre. Rexha e kishte pyetur babanë tim për fëmijët, ndërsa ai i kishte treguar me krenari se djemtë e tij studionin në Prishtinë dhe ishin studentë të shkëlqyer.

Rexha i ishte përgjigjur:

“Smajl, ju thuaj të marrin ndonjë zanat, se shkollë kam pasur mjaft, por sot punoj si rojë!”

Një fjali e shkurtër, por me një domethënie të thellë, që pasqyronte tragjedinë e intelektualit shqiptar nën diktaturën komuniste, përçmimin e dijes dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor.

Dëshmia e dytë – Rrëfimi i prof. Sami Repishtit

Prof. Sami Repishti më kishte treguar se Rexhën e kishte njohur gjatë kohës së burgimit në Shqipëri.

Një ndër ngjarjet më domethënëse që profesori rrëfente lidhej me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ekonomistët shqiptarë kishin hasur në vështirësi gjatë procesit të ndarjes së financave ndërmjet dy shteteve.

Çështja kishte mbërritur deri te Mehmet Shehu, i cili kishte pyetur se kush mund ta zgjidhte këtë problem.

Përgjigjja kishte qenë:

“Vetëm Rexhë Meta!”

Sipas rrëfimit të profesor Repishtit, Rexha, ndonëse ishte i burgosur, kishte punuar për gjashtë muaj në bodrumin e ministrisë, derisa kishte përfunduar procesin e ndarjes së financave ndërmjet dy shteteve.

Çfarë paradoksi historik! Regjimi që e kishte privuar nga liria kishte nevojë për dijen, aftësitë profesionale dhe ekspertizën e tij.

Dëshmia e tretë – Humanizmi i Rosa Wilder Lane

Dëshmia e tretë flet për kulturën, edukatën, fisnikërinë dhe karakterin e jashtëzakonshëm të shkrimtares amerikane Rosa Wilder Lane, bijës së shkrimtares së njohur Laura Ingalls Wilder.

Rosa ishte kujdesur që, edhe pas vdekjes së saj, të vazhdonte përkujdesja për fëmijët e Rexhës. Pas rënies së regjimit komunist, ata u sollën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u sistemuan në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky akt përbën një dëshmi të rrallë të besnikërisë, mirënjohjes, fisnikërisë dhe humanizmit, vlera që kapërcejnë kufijtë gjeografikë, kombëtarë dhe kohorë.

Tri dëshmi që hedhin dritë mbi madhështinë e një intelektuali shqiptar nga Vuthajt, mbi tragjedinë e tij nën diktaturën komuniste dhe mbi fisnikërinë e një gruaje amerikane.

Kujtimi i figurave të tilla është një detyrim moral ndaj historisë dhe brezave që vijnë.

Lavdi jetës dhe kujtimit të Rexhë Met Ulajt!

Hys Ulaj

Për më shumë rreth jetës dhe veprimtarisë së Rexhë Met Ulajt, lexoni edhe shkrimin e mëhershëm të portalit “Plava e Gucia”:

Exit mobile version