Akademiku dhe profesori i shquar njohur nga Kosova, Rexhep Qosja, u ka dhënë një shuplakë të fortë politikave që po ndiqen nga dy qeveritë ajo e Shqipërisë dhe Kosovës. Qosja ishte i ftuar në Universitetin Aleksandër Moisiu, ku u dekorua me titullin “Doctor Honoris Causa”, i akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Akademiku fillimisht tha se po shihet se sa e se si po cënohet e kur po rrezikohet kohezioni ynë shoqëror e mbarë kombëtar. “Shumë shpejt dy shtetet tona janë shfaqur krahinorizimi dhe lokalizmi janë paraqitur madje edhe predikuesit e krahinorizmit e të lokalizmit, të cilët fjalës centrizëm e evropocentrizëm, i vënë parashtesë emrin e krahinës ku jetojnë, dhe atë paragjykim të tyren që cënon kohezionin mbarëkombëtar e shpallin shtyllë kurrizore të shoqërisë e të kombit të Kosovës e të Shqipërisë. Me ndikim cënues të veçantë ndaj kohezionit shoqëror e mbarëkombëtar është ideja e kombit Kosovar, ide me ndikim shumë dramatik rrezikues të kohezionit shoqëror e mbarëkombëtar. Janë paraqitur edhe teoritë e predikuesit e kësaj Ideje që më shumë cënon kohezionin tonë, që qëndrojnë në institucionet politike e shkencore të Kosovës e të Shqipërisë”.
Duke u ndalur tek aktualiteti, Qosja tha se drejtuesit politikave të Shqipërisë dhe Kosovës kanë krijuar klimë të pasigurt për qytetarët, të cilët po largohen masivisht nga vendet tona në këkrim të një jete më të mirë. “Rënia e klasës së mesme ndikon në kohezionin mbarëkombëtar. Ka rënë klasa e mesme. Rendi oligarkik shumë I korruptuar në Kosovë dhe në Shqipëri ndarja gjithnjë e më e shprehur e shoqërisë sipas klasave si në Kosovë edhe në Shqipëri e brezave, prejardhjeve dhe trajtimi i pabarabartë i dinjitetve të njerëzve nuk ka dyshim se ka ndikim cënues në kohezionin tonë mbarëkombëtar po sjell konflikti i gjatë, me asgjë i pakuptueshëm, i çuditshëm, i forcave politike në Shqipëri dhe në Kosovë.
Është e ditur së aty ku nuk durohen në të vërtetë forcat politike që grinden e zihen mes veti aty qytetarët ndihen të pasigurt dhe kjo pasiguri e dobëson lidhjen e tyre mes veti dhe lidhjen me vendin e tyre e natyrisht i nxit të largohen prej vendi siç po largohen. Është parë që ndikim të madh ushtron sidomos papunësia veçmas po ndikon papunësia e të rinjve e padrejtësitë e ndryshme që ju bëhen të varfërve. Korrupsioni që sjell shumë dëshpërim ndaj shtetit, nepotizmi që favorizon bashkëpunëtorët e bashkëpartiakët në Kosovë e në Shqipëri dhe diskriminon të tjerët, mandej zhvendosjet e të rinjve dhe shpërfillja e krijimtarisë letrare e artistike e shkencore dhe zëvendësimi I krijimtarisë shpirtërore me televizione e rrjete sociale.
Zgjidhja e problemit sipas akademikut, i cili shton edhe pyetjet: “ Çka duhet të bëjmë në këtë gjendje? Kujt i takon parandalimi i kësaj të keqeje?” I takon intelektualëve.
“Përgjigja ime është se roli i veçantë ju takon intelektualëve dhe universiteteve që po dëgjohen gjithnjë e më pak. Si institucione të arsimit të lartë universiteteve që financohen prej shtetit e që krijojnë mendjet e zhvillimit të shoqërisë e të kombit e të shtetit, universiteteve ju takon detyrë e veçantë për të hetuar e për t’i treguar opinionit të këqijat që dëmtojnë interesin e përgjithshme. Këtë detyrë e kanë universitetet tona për të bërë opinionit të qartë e për të treguar krizën e vlerave, të moralit etj.”
Qosja u ndal tek vlera që përcjell kultura e vendeve tona. “Sot në këtë shekull nuk ecet përpara pa u bazuar në shkenca. Se kultura kurrë nuk mund të jetë e kaluar. Të kaluara janë politikat e partive. Në kushtet e ringjalljes së nacionalizmave të popujve të mëdhenj e të zhvilluar të bashkimit europian, ne po shohim se po ringjallen ato. Ne mund të ruajmë e të pasurojmë identitetin kombëtar, sot e në të ardhmen tonë në atë bashkim, madhështor që i premton Evropës ardhmëri të madhe, jo për vete, por për planetin.”
Prof. Dr. Rexhep Qosja u nderua me titullin e lartë me motivacionin: “Për kontribut të shquar e shumëdimensional në zhvillimin e kulturës, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare; si studiues i shquar i shkencave albanologjike; si themelues dhe drejtues i institucioneve, programeve të studimit e organeve shkencore; si studiues i letërsisë, në veçanti i letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare; si historian i letërsisë e kritik letrar; si shkrimtar, publicist e polemist; si një zë origjinal në trajtimin e problemeve të mëdha të kohës, bazuar vetëm në kriterin e së vërtetës; si veprimtar shoqëror e politik, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar; si shembulli më i mirë i akademikut, studiuesit, krijuesit e intelektualit; si Nder i Kombit”.