Rezoluta H.R. 6411 në Kongresin e SHBA-së: Hap vendimtar për çështjen e Krahinës Shqiptare

Rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresmeni amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm juridik dhe politik në trajtimin e çështjes së Krahinës Shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Më 21 janar 2026, në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresmeni Self prezantoi Projektligjin e Rezolutës H.R. 6411, duke paraqitur dëshmi të shumta mbi diskriminimin sistematik dhe të vazhdueshëm të komunitetit etnik shqiptar në Serbinë Jugore.

Rezoluta, pas vlerësimit nga komisionet përkatëse, do të procedohet sipas rendit ligjor: fillimisht do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme, më pas do të dërgohet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, do të shqyrtohet nga Senati i SHBA-së dhe, në fund, do t’i paraqitet Presidentit të SHBA-së për nënshkrim.

Miratimi i kësaj Rezolute përbën një akt me rëndësi të veçantë juridike dhe politike, pasi synon ndalimin e çdo forme diskriminimi dhe garantimin e të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve etnikë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ajo krijon një bazë normative ndërkombëtare për mbrojtjen dhe avancimin e këtyre të drejtave, në përputhje me parimet universale të të drejtave të njeriut, barazinë para ligjit dhe instrumentet e së drejtës ndërkombëtare.

Ky zhvillim ka edhe një dimension të qartë historik dhe ndërkombëtar, pasi çështja e Krahinës Shqiptare është ndërkombëtarizuar dhe ka arritur në nivelet më të larta të vendimmarrjes së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kongresin, Senatin dhe Administratën Presidenciale.

Krahina Shqiptare i plotëson të gjitha kriteret themelore për trajtim të veçantë politik dhe juridik: ajo ka popullsi autoktone shqiptare, ka shprehur vullnetin plebishitar në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, ka kaluar nëpër sakrifica dhe mbrojtje përmes luftës së armatosur të UÇPMB-së dhe është subjekt i Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, e cila deri më sot nuk është zbatuar nga Serbia.

Zbatimi i Rezolutës H.R. 6411 do të kontribuojë në një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe ligjërisht të bazuar të çështjes së Krahinës Shqiptare, duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe rendin juridik demokratik. Ajo përbën një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve etnikë në Serbinë Jugore.

Serbia vazhdon të kryejë shkelje të rënda dhe të vazhdueshme, përfshirë moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të këtij rajoni në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022. Këto shkelje përfshijnë mospërfaqësimin e shqiptarëve me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, moszbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, militarizimin e theksuar të Zonës Tokësore të Sigurisë me dhjetëra baza ushtarake, mospërfaqësimin proporcional në sistemin e drejtësisë, mungesën e institucioneve shëndetësore rajonale, pasivizimin e adresave të mbi 25 mijë qytetarëve shqiptarë, diskriminimin në arsim, kulturë, informim dhe investime, si dhe praktikat e vazhdueshme të marginalizimit, asimilimit dhe shpërnguljes së detyruar.

Të gjitha këto dëshmojnë qartë se Krahina Shqiptare nuk e ka të zgjidhur statusin e saj politik dhe juridik dhe se kërkon një zgjidhje të drejtë, të pranueshme dhe të garantuar nga faktori ndërkombëtar politik dhe ushtarak. Pas kësaj Rezolute nga SHBA-ja, pritet që Serbia të kushtëzohet dhe të detyrohet në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara.

Në vijim, kërkohet vazhdimësi e procesit të ndërkombëtarizimit edhe në Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ky është një kapitull i ri dhe një moment jashtëzakonisht domethënës për shqiptarët e kësaj Krahine.

Vështrim nga Refik Hasani