Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Rrustem Berisha: Fushëbetejat më të mëdha të Betejës së Koshares (foto)

Nga: Rrustem Berisha

Batalioni i parë “Bashkim Jasiqi” i Brigadës 138 “Agim Ramadani”

Batalioni i parë “Bashkim Jasiqi” ka qenë një nga shtyllat kryesore të Brigadës. Ka vepruar në drejtimin e sulmit 333 që ka përfshirë edhe pikën strategjike Maja Gllava, ku kanë qenë ish-vrojtoret e forcave armike. Kjo pikë, bashkë më Rrasën e Koskhares, kanë qenë fushëbetejat më të mëdha të Betejës së Koshares.

Batalioni I është përbërë nga luftëtarë të kalitur nëpër beteja dhe vullnetarë të rinj, të cilët, përkundër mungesës së përvojës, me vullnetin dhe trimërinë e pashoqe e meritojnë epitetin e heronjve të gjallë. Komandant i këtij Batalioni ka qenë Skënder Hasangjekaj – “Noti”, nga Martinajt e Plavës, deri më 16 prill kur u plagos rëndë në ballafaqim me armikun. Pas kësaj datë e deri në çlirim, komandant ka qenë Hisen Berisha – “Tre Dy Shtata”.  

Skënderi është plagosur duke i shkuar në përforcim “Veteranit” në Rrasë të Koshares. E takova Skënderin të plagosur. Në dorë mbante shtrënguar kapuçin e vet. Ishte rëndë, kishte humbur shumë gjak. I thashë “për hajr plaga”, e ai ma zgjati kapuçin e ma ktheu “jepja djalit tim kujtim nga baba se nuk dihet a pshtoj gjallë”. Për fat të mirë, kapuçin nuk ia dhashë djalit të tij Notit, por ia ktheva prapë Skënderit, që emrin e luftës e kishte “Noti”.

Hisen Berisha vazhdoi me drejtimin e batalionit, nëpër luftime të rënda, që nuk pushuan asnjë ditë. Armiku me çdo kusht përpiqej ta rimerrte pikën strategjike te vrojtoret. Në përgjimin e komunikimeve e kuptuam se këtë pikë e quanin “kërpudhat” dhe vrojtoren e përdornin si orientim. Forcat tona e çuan në ajër vrojtoren, dhe armiku, gjatë afrimit për sulm diversant në këtë pikë, e humbi pamjen e pikës referente dhe mbeti i çorientuar në mjegull nën breshërinë e djemve të Batalionit I. Tamam si qura n’mjegull. 

Në këtë pikë armiku ka sulmuar me luftëtarët e vet më me përvojë, nga betejat e Kroacisë dhe Bosnjes. Kanë provuar çdo ditë me forca të mëdha që ta marrin këtë pikë strategjike, nga shumë drejtime, madje kanë depërtuar edhe nëpër Shqipëri dhe kanë tentuar ta rikthejnë këtë pikë nga prapa shpinës sonë, por Batalioni I ua ka thyer turinjtë çdo herë, duke u shkaktuar humbje të tmerrshme. Amiku kurrë nuk arriti ta ripushonte asnjë pëllëmbë toke që ka qenë në përgjegjësinë e këtij Batalioni.

Në Batalion nganjëherë kishte edhe debate politike midis ushtarëve. Hiseni ua bënte me dije, me rreptësi komandati, se “partia jonë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe politika jonë është çlirimi i vendit”. 

Armiku ka granatuar vazhdimisht edhe në drejtim të Shtabit të Brigadës. Predhat kalonin mbi Batalionin I dhe Hiseni më larmëronte me radiolidhje paraprakisht për ardhjen e predhës në drejtimin tim “Xhokeri për 327, po t’vjen ni kafe e idht”.

Lavdi heronjve dëshmorë e të gjallë të Batalionit të parë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”!

Exit mobile version