Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Së shpejti me galeri të artit figurativ

Plavë – Duke pasur parasysh faktin se Plavës dhe Gucisë, si qendra komunale, u ka munguar ambienti adekuat për prezantimin, përkatësisht ekspozimin e punimeve të krijuesve të artit figurativ (piktorëve) vendas dhe të jashtëm, të cilat kryesisht janë bërë në ballinat e mureve të hollëve të qendrave për kulturë në Plavë e Guci dhe në shtëpitë e kulturës në Murinë dhe Vuthaj, piktorja dhe poetja e mirënjohur nga Hoti i Kujit, i Komunës së Plavës, Kaltrina Hoti, e cila një kohë të gjatë të jetës dhe punës së vet e ka kaluar në SHBA, ku edhe është shkolluar, ka vendosur që me mjetet vetanake ta financojë përgatitjen, hapjen dhe mirëmbajtjen e galerisë së artit figurativ, e cila në mënyrë të përhershme dhe destinative do të zgjidhë problemin e sipërpërmendur.
Në ambientin e katit të parë të objektit, me hapësirë të mjaftueshme për funksionimin e galerisë, i cili gjendet në qendër të qytetit të Plavës, ideatorja Hoti, punët përgatitore i ka filluar para 10 ditësh dhe ato janë në vlugun më të madh. Punët kryesisht janë të orientuara në aftësimin higjeniko teknik, si dhe në renditjen dhe vendosjen e orendive dhe pajisjeve adekuate të punës së galerisë.
Në vizitën që para pak ditësh ia bëmë ideatores Hoti në lokalin e galerisë së ardhshme, ajo për gazetën “Koha Javore” u prononcua: “Në Plavë, së shpejti do të hapet galeria e pikturave. Në të shumtën e rasteve gjatë udhëtimeve të mia, kam cekë, dhe gjatë ekspozitave individuale që i kam hapur në vende të ndryshme, se një ndër elementet kryesore të kulturës është arti. Në trevën e Plavë-Gucisë është ende në shprehje kuptimi se në të njëjtën kohë edhe artin duhet njohur si art”.
“Lokali në të cilin gjendemi, ka dy qëllime: bashkimin e të gjithë krijuesve të artit figurativ (piktorëve) nga treva e Plavë-Gucisë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare e politike, fjalën e kam për piktorët e gjeneratave të 60-ta dhe 70-ta. Në këtë drejtim përmendi piktorët e mirënjohur vendës, Ismet Çekiqin dhe Hilmo Feratoviqin, po asht e kam edhe listën e piktorëve të tjerë që janë nga kjo trevë, e njëkohësisht jam duke përcjellur edhe gjeneratat e reja të krijuesve të artit figurativ”, është shprehur zonja Kaltrina Hoti, dhe në vazhdim ka shtuar “Qëllimi esencial i hapjes së galerisë, është që turistët tanë, por edhe ata të huaj, kur të vizitojnë trevën tonë mos të thonë ‘erdhëm në Plavë e Guci, ku gjetëm bukë dhe mazë të mirë’, por të thonë ‘gjetëm bukë e mazë të mirë, por edhe piktura dhe libra’, për këtë arsye dua të them që kur flitet për kulturë, nuk është fjala vetëm për një valle, për një këngë, por edhe për shumëçka tjetër, ndër të cilat edhe për atë që po flas unë – për pikturën.
Në galeri do të bëhet prezantimi i artit modern. Në ballinat e mureve të saj, tërë kohën do të gjenden të ekspozuara nga dy piktura të artistëve (piktorëve) nga këto treva. Galeria do të jetë e hapur tërë kohën, ashtu që çdo njeri i jonë apo i huaj përmes saj do të sheh pasqyrën e historisë së trevave tona. Pikturat do të paraqesin realizëm, por edhe modernizëm – një rrymë të re të artit”.
Zonja Kaltrina Hoti, nuk hezitoi për të konfirmuar të dhënën se “meqë jemi në fazën e përgatitjes së galerisë për funksionim, kam nderin dhe kënaqësinë të ceki se para pak ditësh në ndihmë papritmas më erdhi një mysafire e respektuar nga Uruguai, e cila quhet Karen Godoy, dhe me profesion është profesoreshë e gjuhës angleze, por intensivisht merret edhe me pikturë, si amatore. Ajo do të qëndrojë një javë ditë, dhe do të jepe kontributin e vet në punën përgatitore, por edhe në atë logjistike të galerisë”.
Nëse punët përgatitore mbarëvajnë dhe përfundojnë sipas planit të hartuar, pritet që galeria e artit figurativ në Plavë solemnisht të hapet brenda afatit dymujor.

Sh. Hasangjekaj

Exit mobile version