Romani “Im atë donte Adolfin” (Moj je otac volio Adolfa) është vepra e parë e shkrimtarit Mehmet Kraja që vjen në gjuhën malazeze, e përkthyer me përkushtim nga Qazim Muja.
Në parathënien e romanit, shkrimtarja dhe kritikja letrare Dragana Erjavshek shkruan se ky është një roman që ka qenë i domosdoshëm në gjuhën malazeze në një kohë kur letërsia po mbytet në shkurtesa, në asociacione të cunguara dhe devijime të panevojshme nga normat për hir të përshtatjes me format dixhitale të komunikimit. Ajo vëren se “ky është roman edhe për një bredhje, për kërkimin, më shumë atë meditativ të qenies së vet që asnjëherë nuk është realizuar plotësisht që kur i dështoi plani i parë, por edhe për kërkimin fizik nga Kraja në Shkodër dhe anasjelltas për diçka që Ati, ndonëse as vetë nuk është i sigurt se çfarë është ajo, mund ta pushtonte me duar”.
Libri është botim cilësor me lidhje të fortë dhe është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Redaktor i librit është shkrimtari Zuvdija Hoxhiq (akademik), ndërsa redaktore gjuhësore Sanja Orlandiq. Ai është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë dhe botimin e tij e kanë mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
Mehmet Kraja është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe vlerësohet si njëri ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë së sotme shqipe. Është autor i dhjetëra veprave letrare, përfshirë romane, përmbledhje me tregime, drama, libra me kritikë dhe publicistikë etj.
Romani “Im atë donte Adolfin” i shkrimtarit Mehmet Kraja është botuar për herë të parë nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë, në vitin 2005. Për lexuesin në gjuhën shqipe, “Art Club”-i do të sjellë së shpejti edhe një përmbledhje me tregime të këtij autori.