Në muajin nëntor, Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë kufizimet për hyrje të udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe vendet tjera.
Nga ky muaj, udhëtarët e huaj do të lejohen të fluturojnë në SHBA nëse vaksinohen plotësisht, i nënshtrohen testimit dhe procesit të gjurmimit të kontakteve.
Që nga fillimi i vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara patën vendosur masa të ashpra të kufizimeve në udhëtime për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e COVID-19, Jeff Zients më 20 shtator, tha se kjo qasje bazohet më shumë në individë sesa në situatën e përgjithshme të një vendi.
“Më e rëndësishmja është që shtetasve të huaj që fluturojnë në SHBA do t’u kërkohet të jenë të vaksinuar plotësisht”, tha ai.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit, të kenë një rezultat negativ të testit për COVID-19 dhe të paraqesin informacionet për kontaktet e tyre.
Pasagjerëve të vaksinuar plotësisht nuk do t’u kërkohet të hyjnë në karantinë, tha Zients.
Vendimi pason një kërkese të madhe nga aleatët evropianë për t’iu mundësuar familjeve të ndara nga kufizimet që të kenë mundësi të ribashkohen.
Bashkimi Evropian e mirëpriti njoftimin, ndërsa Britania e Madhe e quajti atë “fantastik”.
“Një veprim i shumëpritur për familjet dhe miqtë e ndarë, dhe një lajm i mirë për biznesin”, tha Komisioni Evropian.