(Foto: Manastiri Gjurgjevi Stupovi në Beranë . Me ngjyrë në foto kemi shënuar vendin ku është murosur monumenti)
Nga: Prof.Dr. Naser FERRI
Në manastirin “Gjurgjevi stupovi” në Beranë janë të murosura monumentet antike ilire
Mohimi dhe shkatërrimi i kulturës autoktone nga ana e sllavëve nuk ka filluar viteve të fundit.
Gjatë antikitetit territori i Malit të Zi të sotëm ishte pjesë e Mbretërisë Ilire e cila ishte mposhtur nga romakët në vitin 168 para erës sonë dhe pas vitit 132 kishte hyrë ne kuadër të provincës romake Dalmatia, e cila kufizohej me Mbretërinë Dardane. Romakët e kishin zënë rob mbretin Gent(Genc) në Meteon (Medun) dhe e kishin dërguar si rob lufte në Itali, por nuk e shkatërruan kulturën vendëse. Madje nga periudha romake janë ruajtur shumë dokumente, posaçërisht monumente epigrafike me tekste qe ofrojnë fakte ikonografike, onomastike, toponomastike, orografike, hidrografike dhe të dhëna të tjera lidhur me etno-kulturën ilire.
Por, atë qe nuk u shkatërrua nga romakët e pushtuesit pas tyre, e shkatërruan dhe e përvetësuan ardhacakët sllavë prej mesjetës e deri në kohë të re.
Një shembull eklatant është murosja e monumenteve antike ilire gjatë mbindërtimeve të kishave paleo krishtere të uzurpuara nga sllavet ortodoks.
Kështu në manastirin “Gjurgjevi Stupovi” në Beranë janë murosur monumente ilire me mbishkrime latine nga të cilët më së miri duket ai i murosur në pjesën e rindërtuar në shekullin XIII, në anën e djathtë të derës jugore, në të cilin përmendet emri i personit Verzaio, që është emër ilir shumë herë i dëshmuar në trajta: Verzo, Verzaio, Verzando….
Monumenti pa dyshim është sjellë nga lokaliteti Dolac, ku janë zbuluar gjurmët e kampit (castrum) ushtarak të një njësiti ushtarak romak, në të cilin kishin shërbyer edhe ushtarë me origjinë ilire ose nga lokaliteti Budimlje ku janë gjetur mbetjet e një vendbanimi antik.
Fakti qe monumenti mbivarror ne fjalë ishte i murosur qëllimisht mbrapshtë dhe madje për një kohë të gjatë kishte qene edhe i mbuluar me llaç (mallter) tregon qartë qëllimin e atyre që e kishin marre nga vendzbulimi për ta përdorur si material ndërtimor dhe e kishin murosur aty dhe në atë mënyrë.
Dhe ky nuk është i vetmi rast i shkatërrimit të monumenteve e relikteve të kulturës së lashtë iliro-shqiptare, gjë e cila, për fat të keq, vazhdon edhe sot. /Plava e Gucia Sot