Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Shkolla e Mesme “Beqo Bashiq” në Plavë – mes sfidave dhe përkushtimit të nxënësve e familjeve shqiptare për t’iu qëndruar besnikë trojeve stërgjyshore

Shkolla e mesme e përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, edhe në vitin akademik 2025/26, ashtu siç ka qenë deri më tani, mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të arsimit në gjuhën shqipe në trevën e Plavë-Gucisë.

Aktualisht mësimin në këtë shkollë e ndjekin 70 nxënës shqiptarë, të cilët janë të organizuar në dy drejtime: Gjimnaz i Përgjithshëm (katërvjeçar) dhe Tregti (trevjeçar).

Ky institucion nuk është vetëm vend ku përçohet dija, por edhe një shtyllë e fortë për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar në Plavë e Guci.

Mësimdhënësit që japin mësim në gjuhën shqipe:

• Arton Sinanaj – Fizikë

• Fadil Ulaj – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe

• Bali Rugova – Histori

• Faruk Novaj – Matematikë

• Hasnije Gjonbalaj – Gjuhë Frënge

• Jasmin Rugova – Gjuhë Angleze

• Shqipe Kukaj – Ekonomi

• Shpresa Kurtagiq – Ekonomi

• Mehmet Sinanaj – Kimi

• Eduard Balidemaj – Ekonomi

• Drilon Rugova – Edukatë Fizike

• Naime Dauti – Biologji

• Mevdije Milushi – Biologji

• Getoar Gjonbalaj – Ekonomi

Sfidat e nxënësve shqiptarë

Përveç sfidave që lidhen me numrin e nxënësve dhe me realitetin e një shoqërie multietnike, një nga problemet më të mëdha mbetet mungesa e transportit. Shteti ende nuk ka siguruar transportin për nxënësit shqiptarë.

Aktualisht, prindërit janë të detyruar të mbulojnë vetë shpenzimet, duke paguar rreth 65 euro në muaj për çdo fëmijë. Kjo përbën një barrë të rëndë financiare, sidomos për familjet që kanë disa nxënës. Si pasojë, shpeshherë fëmijët hezitojnë ose rrezikojnë të ndërpresin shkollimin.

Arsimi shqip – një mision i shenjtë

Shkolla e mesme “Beqo Bashiq” është më shumë sesa një institucion arsimor: ajo është një vatër e gjallë e kultivimit të vetëdijes kombëtare. Çdo nxënës që sot e zgjedh gjuhën shqipe si gjuhë mësimi është një dëshmi e fortë e përpjekjes për të ruajtur rrënjët, traditat dhe identitetin shqiptar në Plavë e Guci.

Ky mision kërkon përkrahje të menjëhershme dhe konkrete. Shteti duhet të marrë përgjegjësitë zyrtare për sigurimin e transportit të nxënësve, ndërsa prindërit dhe mbarë komuniteti shqiptar duhet të vazhdojnë të mbështesin shkollën shqipe, si mbrojtje e vetë ekzistencës sonë kombëtare.

Mali i Zi, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të avancojë të drejtat e pakicave kombëtare, duke ofruar kushte të barabarta dhe, pse jo, edhe një diskriminim pozitiv për të mirën e brezave që po rriten në trojet e veta.

Urime për fillimin e vitit të ri shkollor

Portali “Plava e Gucia Sot” u uron nxënësve dhe mësimdhënësve fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, duke i përgëzuar për misionin e tyre fisnik në shërbim të dijes dhe ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar.

Urime dhe suksese të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve që mbajnë mësim në gjuhën shqipe!

Esad Gjonbalaj

/Plava e Gucia Sot, shtator 2025

Exit mobile version