Shqipëria merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është e privilegjuar për marrjen e drejtimin të presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke filluar nga dita e sotme.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Rama shprehet se vendi mbetet i angazhuar për drejtësi dhe paqe në botë.

Sipas Ramës, lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla, ndaj dhe bota nuk duhet të mësohet me pandëshkueshmërinë.

Ditën e djeshme, Rama zhvilloi një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për programin dhe përparësitë e presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Vitin e kaluar, Shqipëria u zgjodh anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për vitin 2022-2023. Në votim morën pjesë 190 shtete, ndërsa 175 prej tyre u shprehën pro Shqipërisë.