Shqiptaro-amerikanët faktor për rizgjedhjen e Presidentit Trump në Michigan – Lobojnë kundër ndarjes së Kosovës

Veprimtari Gjevalin Gegaj takohet me Zv-Presidentin Mike Pence – Letra nga Martin Vulaj dhe Eduard Aliko, e nënshkruar nga komuniteti, mbështet marrëveshjen me Serbinë brenda vitit, por vetëm me njohjen e pavarësisë dhe në kufijtë ekzistues: Presidenti Trump mund të hyjë në histori si Wilson, Clinton dhe W Bush, nëse siguron zgjidhjen e duhur

Nga Ruben Avxhiu

Michigan është pjesë e listës së shkurtër, të shteteve lëkundëse, të cilat përcaktojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2016, Donald Trump mundi Hillary Clinton me vetëm 10,000 vota diferencë, në mbi 5 milionë vota gjithësej. Diku 0.2% Në këtë shtet janë rreth 34,000 shqiptaro-amerikanët të regjistruar si votues në Michigan dhe gati 47,000 në total. Kjo është shumë më tepër se 10,000 votat që caktuan fitoren në zgjedhjet e kaluara. Shqiptarët me këto numra janë një forcë që mund të përmbysë rezultatin në vitin 2020 dhe Partia Republikane do që të ketë mbështetjen e tyre.
Interesi është dydrejtimësh edhe shqiptarët në Michigan kanë kërkesa dhe pritshmëri nga Administrata Trump.
Sipas historisë zgjedhore të dekadave të fundit, Michigan ka shkuar dy herë për Bill Clinton, dy herë për George W Bush, dy herë për Barack Obama dhe Presidenti Donald Trump dëshiron dhe ka shpresa të fitojë për herë të dytë gjithashtu. Ky mund të bëhet shteti që e ngre ose e rrëzon atë, në nëtor të këtij viti.
Prandaj, kur Gjevalin Gegaj u interesua për të krijuar një rol për shqiptaro-amerikanët, fushata e presidentit Trump u përgjigj menjëherë. Pas bisedave në restorantin e Gjevalin Gegës, bashkëpunimi u zgjerua. Ai bisedoi me aktivistë si Eduard Aliko e organizata të ndryshme shqiptare. Një rol të rëndësishëm për mbledhjen së bashku faktorëve të ndryshëm luajti edhe At Fred Kalaj.
Me pjesëmarrjen e Drejtorit Shtetëror i Fushatës së Presidentit Trump në Michigan, Christopher Velasco dhe Nënkryetarit për Koalicionet i Partisë Republikane në Michigan, Kevin Tatulyan mbajtën dy takime, një me përfaqësues të komunitetit të Koalicionit të Fitores së Trump, në një sallë të mbyllur, në tavolinë dhe pastaj një takim i gjerë me pjesëmarrje masive në mjediset e Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali.
Në takimin prezantues, të datës 14 shkurt, në fillim e mori fjalën Gjevalin Gegaj, veteran i shumë fushatave dhe veprimtarive të komunitetit që përshkroi se kush janë shqiptaro-amerikanët dhe rëndësinë e rolin e tyre në shtetin e Michigan-it, me larminë e tyre fetare, me bizneset e vogla, me qendrat kulturore etj. Më tej foli Eduard Aliko që ishte përgatitur shumë mirë për çështje të emigracionit dhe për sigurimin shëndetësor, tema që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Michigan e më gjerë në SHBA. Më tej u kalua në çështjen e politikës së jashtme amerikane sidomos lidhur me trojet shqiptare në Ballkan. Për këtë foli ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, kolonel Dritan Demiraj, i cili ka përgatitje të thellë profesionale sidomos në fushën e mbrojtjes. U fol për nevojën e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes së Kosovës, por duke ruajtur tërësinë territoriale të republikës. U fol për krizën e demokracisë në Shqipëri, ku ka humbur së fundi kontrollet dhe balancat që janë mekanizma të domosdoshme si në demokracinë amerikane, për zgjedhjet e lira dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, u fol për çështjet të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të shiptarëve në këto shtete.
Përfaqësuesit e Koalicionit Trump Victory, mbajtën shënime me kujdes. Drejtori i Shtetit Christopher Velasco mbeti shumë i impresionuar nga organizimi dhe nga niveli i komunitetit shqiptar në Michigan. Ai mbajti një fjalim në fund ku nuk i kurse lavdërimet dhe premtoi bashkëpunim të ngushtë. Drejtori Velasco premtoi se kërkesat dhe pikëpamjet e shqiptaro-amerikanëve do t’u dërgoheshin për dijeni zyrave të Presidentit Donald Trump dhe Zv-Presidentit Mike Pence.

Takimi me zëvendës-Presidentin Mike Pence

Një nga rezultatet e punës me fushatën për rizgjedhjen e Presidentit Trump ishte ftesa në 25 shkurt për një takim të ngushtë me Zv-Presidentin Mike Pence.
Me vendim të grupit përfaqësues të shqiptaro-amerikanëve u vendos që në këtë takim të shkonte Gjevalin Gegaj. U morën vesh gjithashtu që çështja që duhej të kishte më shumë përparësi dhe urgjente për t’u ngritur me Zëvendës-Presidentin Pence ishte ajo e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Gjatë takimit, Gjevalin Gegaj pati mundësi t’ia parashtronte pikëpamjet e tij Zëvendës-Presidentit, i cili ishte i informuar për temën dhe tregoi kuriozitet dhe vëmendje. Stafi i tij mbajti shënime. Gjevalini i foli për shqetësimet e shqiptarëve lidhur me procesin, për rrezikun e ndryshimit të kufijve, për angazhimin e të gjithë faktorëve politikë të Kosovës, për dyshimet lidhur me sinqeritetin e Serbisë në bisedime.
Gjevalin Gegaj ka një histori të gjatë pune me Kosovën. Paraqitja e tij nuk kishte vetëm statistika të thata po edhe histori personale. Fshati dhe shtëpia e tij janë djegur dikur nga forcat. Kjo i bëri përshtypje zv-Presidentit dhe kur dëgjoi për 20,000 përdhunimr e ndërpreu dhe e pyeti nëse mund t’ia përmblidhte këto në një raport të shkurtër. Kur Gjevalini iu pergjigj pozitivisht, Zv-Presidenti Pence telefonoi në moment shefen e stafit të tij dhe i kërkoi që të merrte kontaktin e veprimtarit shqiptaro-amerikan.
Ashtu u vendos. Teksti me pikëpamjet e shqiptarëve u përpilua më vonë nga Martin Vulaj dhe Eduard Aliko dhe iu dërgua në datën 5 mars Zv-Presidentit Pence. Ditën e mërkurë erdhi telefonata për Gjevalin Gegajt për ta diskutuar përmbajtjen edhe një herë.
Pikëpamjet e shqiptaro-amerikanëve tani po bëhen faktor ndikues në trajtimin amerikan të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi. Të paktën një kanal i rëndësishëm komunikimi është vendosur.
Ndërkohë bashkëpunimi në Michigan vazhdon. Të paktën tre shqiptarë të rinj janë bërë punonjës me pagesë të fushatës së rizgjedhjes së Presidentit Trump, ka vullnetarë të regjistruar dhe institucionalizim të bashkëpunimit.
Gjevalin Gegaj thotë se është i bindur se Donald Trump do të fitojë përsëri në 2020 dhe në Michigan, ku gara mund të jetë përsëri shumë e ngushtë, rezultati mund të varet vërtet nga vota e shqiptarëve.

Gjevalin Gegaj (majtas), në takimin e parë me Christopher Velazco, Drejtorin për Shtetin Michigan të Komitetit për rizgjedhjen e Presidentit Trump,

Më poshtë vijon versioni në gjuhën shqipe i letrës dërguar Zv-Presidentit Mike Pence, nga Gjevalin Gegaj dhe komuniteti shqiptaro-amerikan në Michigan:

Shqiptaro-Amerikanët për Presidentin Trump në Michigan
4162 Christina Drive
West Bloomfield, MI 48324

5 mars, 2020

Shumë i nderuar Michael R. Pence
Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
1 Observatory Circle
Washington, DC

I dashur zoti Zëvendës-President,
Faleminderit për takimin me udhëheqësit e komunitetit tone etnik në Detroit, Michigan, në 25 shkurt, 2020. Duam të shprehim nderimin dhe falenderimin tonë edhe për Drejtorin Shtetëror për Fushatën Fitorja e Trump në Michigan, zotin Christopher Velazco, jo vetëm sepse siguroi takimin me ju por edhe për të gjithë punën e madhe që po bën për të siguruar fitoren e Presidentit Trump në Michigan.
Po ju shkruajmë në vijim të kërkesës suaj gjatë takimit tonë që t’i paraqesim shqetësimet dhe sugjerimet tona në një letër të dërguar për vëmendjen tuaj.
Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të administratës suaj për Kosovën dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet tuaja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për konfliktin në vazhdim mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo zgjidhje do t’u japë mundësi të dy vendeve që të ecin shpejt dhe në mënyrë paqësore drejt një të ardhmeje të përbashkët europiane.
Që të arrihet kjo, jemi të bindur se u duhet përmbajtur disa parimeve:
1. Zgjidhje e shpejtë
Negociatat e zvarritura duhet të rifillojnë e të përfundojnë qartësisht përpara se të mbarojë viti 2020. Përfundimi i tyre duhet të japë si rezultat njohjen e ndërsjelltë mes të dy vendeve dhe të drejtën e Kosovës për t’u anëtarësuar në të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë sidomos, ulësen e saj në Kombet e Bashkuara. Udhëheqja e re kosovare ka nevojë për mbështetjen amerikane që t’u japë këtyre negociatave një fillim të ri e të vrullshëm.
2. Rinjohja e kufijve ekzistues
Kosovës duhet t’i njihen kufijtë ekzistues. Çfarëdo eksperimenti me ndryshime kufijsh do të shkaktojë jo vetëm paqendrueshmëri rajonale por do të ketë pasoja deri në Kaukaz, ku Rusia do ta përdorë si një precedent të ri kundër fqinjëve të saj.
3. Jo boshnjakëzimit të Kosovës
Nëse formohet ndonjë njësi gjeografike ekstraterritoriale në Kosovë, Beogradi do ta përdorë më vonë si një burim paqendrueshmërie apo si frenë kundër përparimit. Bosnja sigurisht na ka mësuar se si edhe përbërësit e marrëveshje të paqes, të krijuara me qëllim të mirë mund të kthehen shpejt në pengesa për ripajtimin dhe ecjen përpara.
4. Ripajtim nëpërmjet llogaridhënies dhe dëmshpërblimit
a. Në një fushatë të organizuar nga shteti, forcat serbe vranë mbi 13,000 kosovarë, shumica e gjerë e të cilëve ishin civilë; dëbuan mbi një milionë njerëz; përdorën përdhunimin si armë lufte ndaj mbi 20,000 grave. Të gjitha këto i bënë ndërkohë që ndiqnin një politikë të tokës së djegur, duke u vënë flakën shtëpive, shkollave, spitaleve, dhe duke helmuar burimet ujore. Më shumë se një mijë vetë mbeten ende të pagjetur, ndërkohë që varre masive ende zbulohen nëpër Serbi. Pavarësisht nga të gjitha këto, Serbia as nuk ka kërkuar falje dhe vijon të mohojë fajësinë e saj.
Në mënyrë që të ketë paqe jetëgjatë dhe ripajtim të vërtetë, Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e saj mizore kundër njerëzimit dhe të paguajë dëmshpërblime ndaj Kosovës.
b. Drejtësi për 3 amerikanët e vrarë
Disa javë mbas mbarimit të luftës, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyci, të moshës respektivisht 25, 23 dhe 21, ndërkohë që po ndihmonin një familje rome që të udhëtonte e sigurtë në shtëpinë e saj, u arrestuan nga forcat serbe. Pas dy javësh në qeli, ata u çuan pranë një varri masiv, ku ua mbuluan sytë, ua lidhën duart me tela, dhe u ekzekutuan me plumba mbraoa koke, për t’u hedhur pastaj në varrin masiv. Ky veprim ishte thjesht një akt i pastër hakmarrjeje kundër Shteteve të Bashkuara, për shkak të udhëheqjes së NATO gjatë bombardimit të Serbisë.
FBI, Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit kanë qenë instrumental në hetimin dhe përcaktimin e fakteve. Tani emrat e personave të përgjegjshëm dihen. Ndonëse Presidenti aktual i Serbisë (i cili ka qenë pjesë e aparatit të luftës) ka premtuar në mënyrë të përsëritur zyrtarëve të nivelit të lartë të qeverisë së SHBA-së se përgjegjësit për vraset do të dalin përpara drejtësisë, asnjë nuk është dënuar deri tani. Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar rezolutën H.Con.Res.32 për këtë temë, kursë rezoluta korresponduese në Senat është ende pezull.
5. Mbështetja pas zgjidhjes
Menjëherë pas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara duhet ta shtojnë në mënyrë thelbësore ndihmën për Kosovën. Kjo ndihmë do të ndihmonte qeveritë për të luftuar kundër krimit dhe korrupsionit, për të foruar sistemin gjyqësor, për të zhvilluar infrastrukturën që do të mbështeste rritjen ekonomike, për të promovuar prodhimin dhe tregëtinë, si dhe për të forcuar dhe rritur forcat ushtarake. SHBA duhet të mbështesë edhe hyrjen e shpejtë të Kosovës në NATO dhe BE. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova do të mund të marrë vendin që i takon në familjen europiane dhe të kontribuojë për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Z. Zëvendës-President, anketim pas anketimi, del se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë dhe nuk është rastësi. Presidenti Woodroë Wilson siguroi krijimin e shtetit shqiptar, Presidenti Bill Clinton udhëhoqi fushatën e NATO-s për ndalimin e genocidit dhe shpëtoi popullin e Kosovës; Presidenti George W. Bush siguroi krijimin e një Kosove të pavarur dhe Preidenti Donald J. Trump do të hyjë në histori si udhëheqësi i procesit që solli marrëveshjen përfundimtare të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe që solli paqen dhe stabilitetin në një rajon që ka qenë plot trazira për shekuj me radhë. Amerika do të ketë gjithmonë besnikërinë e pavdekshme dhe mirënjohjen e pakufishme të popullit shqiptar.
E vlerësojmë shumë që po i kushtoni kohën dhe vëmendjen tuaj kësaj çështjeje. Ju urojmë fat të mbarë në rrugën tuaj për të sjellë paqe dhe begati në botë, ndërkohë që Vazhdoni ta Bëni Amerikën të Madhe. Ne po organizojmë vullnetarë dhe mbështetës këtu në Michigan për të siguruar që udhëtimi juaj të vazhdojë edhe për katër vite të tjera.
_______________________
Gjevalin Gegaj,
Kryetar

Udhëheqës dhe Organizata Anëtare

Kisha Shqiptare Katolike e Shën Palit
Shoqata e Myslimanëve Shqiptaro-Amerikanë në Detroit
Kisha Katolike Zoja e Jonë e Shqiptarëve
Shoqata e Malësisë së Madhe
Shoqata Kosova e Michigan-it
Televizioni i Komunitetit Shqiptar
Televizioni Albdreams
Revista “Kuvendi:
Rafail Floqi, Drejtues emisioni dhe analist
Koloneli Dritan Demiraj
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Robert Gjon
Kalorësit e Kolombit At Fishta