Shtatë Muaj Pa Qeverinë e re – Kosova në Errësirë, Tirana në Heshtje ! 

Nga Musa Kurtulaj, Shkodër

Kosova ka hyrë në muajin e shtatë pa institucionet e reja, që duhej të dilnin nga  zgjedhjet 9 shkurtit. Kuvendi është mbledhur rreth 60 herë, deri dje 21 gusht, për të zgjedhur kryetarin e tij, por çdo përpjekje ka përfunduar me dështim. Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka shumicën numerike por jo mandate të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, ndërsa partitë e tjera kanë zgjedhur bllokadën në vend që të shohin se si mund të dilet nga ky ngerç ! 

Ndërkohë, nga Europa dhe SHBA vijnë thirrje të vazhdueshme për kompromis dhe përgjegjësi politike në Prishtinen politike. Por në Tiranë, ku ekziston madje edhe obligimi kushtetues për të folur e reaguar mbi Kosovën, heshtja është bërë qëndrim ! Një heshtje që rëndon jo vetëm mbi raportet vëllazërore, por edhe mbi përgjegjësinë historike të klasës politike shqiptare.

Shtatë muaj pa institucione do të trondisnin çdo shtet europian – qoftë edhe Francën apo Gjermaninë. Për Kosovën, një shtet i brishtë e i kërcënuar nga çdo vakum institucional, kjo është baraz sikur ti mohohej edhe ajri e drita !  Pa qeveri dhe institucione funksionale , Kosova mbetet peng i interesave partiake, ndërsa qytetarët janë lënë peng i një krize që nuk e meritojnë.

Kriza nuk është më vetëm politike, ajo është ekzistenciale për shtetin e Kosovës,ndaj  dhe heshtja e Tiranës politike, në këtë rast, është një heshtje që dhemb shumë  ! Sa më parë që të ndryshojë ky qëndrim, aq më mirë është ! Tiranës politike nuk i justifikohet heshtja, kur shtetarët e Kosovës në Prishtinë bëjnë lojra që i kushtojnë rëndë Kosoves e jo vetëm !