Si e njoha unë Shaban Bruçajn !

shkruar nga: Hamza Halabaku (shkrim i huazuar nga gazeta Koha Ditore 8 Maj 2018)

Është ndarë nga jeta në moshën 68 vjeçare, larg vendlindjes, në Nju-Jork, veprimtari dhe ish-zyrtari i lartë i Kuvendit të Kosovës, i përbërjes që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 dhe të Kushtetutës së Kaçanikut, Shaban Bruçaj. Lajmin ia bëri të ditur portalit Koha.net bashkëpunëtori i tij i atyre viteve të rënda e domethënëse për rrugëtimin historik të Kosovës, Hamza Halabaku.

Ai shkruante për të:

Lajmin e mora me pikëllim, se Shaban Brunçajn e kisha shok e miku personal dhe familjar. U njohëm dekada më parë, në Kuvendin e Kosovës, që të ndaheshim kundër vullnetit tonë në vitet e nëntëdhjeta, ai në Nju-Jork e unë në Gjermani.

Por lidhjet i mbajtëm.

Fatkeqësisht ai, përveç me mallin për vendin e lindjes, përballej edhe me probleme shëndetësore, por asnjëherë pa e humbur optimizmin.

Po si e njoha unë Shabanin?

E kisha takuar shumë shpesh në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por rrallë na kaishte rastisur që të ndalemi gjatë me njëri-tjetrin. Ai kishte punët e veta në shërbimin e Kuvendit të Kosovës e unë të miat në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Mirëpo, në qershorin e vitit 1982, kur u emërova në detyrën e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës, Shabanin e gjata në detyrën e sekretarit të Dhomës Shoqërore-Politike të Kuvendit. Ai ishte në zyrën 56, kurse zyra ime kishte numrin 55. Ishim fqinjët e parë me zyre. Takoheshim në mbledhjet e kolegjiumit profesional, por ndodhte që shpeshherë Shabani porosiste kafen e mëngjesit në zyrën e tij dhe më thërriste edhe mua, si komshiun e parë, e aty takoja edhe kolegë të tjerë. Nuk kurseheshim me biseda dhe tema të nxehta politike, jo aq të lehta për kohën.

Takimet tona për kafe e pas kafes nuk ishin sa për… Unë mësoja prej tij, sepse isha i fundit që kisha ardhur në Shërbimin profesional të Kuvendit. Edhe pse isha jurist i diplomuar, më mungonte përvoja në Kuvend.

Aty, në zyrën e Shabanit ishte edhe Zaiti e Haliti.

Zaiti ishte sekretar i Kuvendit, Haliti – sekretar i Komisionit Kushtetues, ndërsa Shabani, si thash edhe më parë, sekretar i Dhomës Shoqërore – Politike të Kuvendit. Me Kushtetutën e vitit 1974 Kuvendi i Kosovës i kishte tri dhoma.

Shabani dallonte nga ne juristët e tjerë, ngase ishte më i përgatituri. Ishte njohës i shkëlqyeshëm i sistemit politik të kohës. Kur e kam pyetur një herë, duke i thënë se kisha një dozë të vogël të xhelozisë pse ishte më i përgatituri ndër ne, më pati thënë se një kohë ishte sekretar i dhomës derisa profesor Esat Stavileci ishte kryetar dhome dhe kishte mësuar edhe nga ai.

Shabani ishte krah i djathtë i delegatëve shqiptarë të Dhomës Shoqërore – Politike, po edhe i delegatëve të dhomave të tjera. Ishte krah i djathtë për të gjithë ata bashkëpunëtorë të Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës, kur kishin nevojë.

Dorën në zemër, Shaban Brunçaj ishte krah i djathtë e i fortë edhe i imi. Meqë unë isha ndihmës i sekretarit të Kuvendit , respektivisht shef i Byrosë së sekretarit të Kuvendit, nga ku dilnin dokumentet finale qofshin ato ligje, dekretligje, rezoluta, rekomandime,vendime e aktvendime, apo qëndrime të Kuvendit të Kosovës në raportet me Kuvendin e Serbisë apo me Dhomën e Republikave e të Krahinave të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë. Sa herë kisha nevojë për ndihmë e konsultoja e ai më tregonte rrugën drejt së cilës duhej të shkoja.

Ishte sinonim i miqësisë, dijes, përvojës dhe guximit.

Pas dy mandateve që ishte sekretar i Dhomës Shoqërore-Politike më 14 maj 1990 ishte shkarkuar nga ky funksion. Edhe pse ai nuk ishte i angazhuar në ndonjë funksion konkret, ishte i rregullt në punë dhe angazhohej duke dhënë ndihmesë të vlefshme dhe të pakursyer për të gjitha çështjet, veçmas rreth zgjidhjes së probleme që tanimë shfaqeshin në funksionimin e Kuvendit.

Shabani ishte njohës shumë i mirë i sistemit juridik dhe politik të Jugosllavisë së atëhershme dhe njëri nga juristët më të mirë që asokohe kishte Kuvendi i Kosovës. Ishte njohësi më i mirë i sistemit shoqëroro-politik të asaj kohe në Shërbimin Profesional të Kuvendit të Kosovës. Për gjërat e nxehta e të rënda e pyesja përherë dhe nuk gaboja në marrjen e vendimeve…

Do t’i falënderohem, në veçanti, për ndihmën në rastin e mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës, të 2 Korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës. Derisa me një lloj frike po i ngjitja shkallët për të shkuar në zyrë që t’i finalizoja dokumentet e asaj mbledhje historike, kur e pashë Shabanin që ishte duke më pritur, përnjëherë e flaka atë frikë dhe m’u duk që po fluturoja nga gëzimi. Droja që kisha se mos nga shërbimi ynë po lëshohet ndonjë gabim i vogël, m’u hoq sa çel e mbyll sytë. Isha i sigurt se kur Shabani është afër meje nuk lëshohet asnjë gabim.

Edhe sot e kujtoj atë imazh kënaqësie në atë shërbim të Kuvendit derisa po i përgatitnim ato vendime, në përgjithësi, e Deklaratën Kushtetuese për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në veçanti. Të gjithë ishim bërë të fluturonim, edhe ne të shërbimit, po edhe Shabani.

– Kjo është një ditë e historisë sonë, – më thoshte Shabani.

Gjithmonë do ta kujtoj, besoj edhe kolegët e tjerë, si një veprimtar të palodhshëm e guximtar në shërbim të çështjes sonë kombëtare.

*

Varrimi i tij do të bëhet nesër, më 9 maj, në Nju-Jork.

Artikulli i Kohes Ditore kliko ketu