Stoltenberg fton Kosovën e Serbinë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë.
Pas zhvillimeve në veri të Kosovës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një postimi në Twitter Stoltenberg ka thënë se me Vuçiqin kanë folur për tensionet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës.
“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë”, ka shkruar Stoltenberg, transmeton Telegrafi.
“NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin që ia ka dhënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, ka shkruar tutje Stoltenberg.
Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka biseduar të martën edhe me kryeministrinë Kosovës Albin Kurti.
Stoltenberg pas telefonatës me Kurtin ka thënë se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.