SUKSESET E EKIPIT TIM TASHMË JANË BËRË EMBLEMË E IMAZHIT TË POPULLIT SHIPTARË KUDO QË ATA JETOJNË

Intervistë ekskluzive e portalit PGS me zt. Driton Kuka.

PGS: I nderuar zt. Driton Kuka faleminderit për përgjigjen pozitive për këtë intervistë për portalin tonë dhe tuaj “Plava e Gucia Sot” (PGS). Falënderohemi që patët mundësi të ndani pakëz kohë nga orari juaj i ngjeshur, gjithnjë duke pasur parasysh punën, sukseset dhe të arriturat tuaja në arenën ndërkombëtare si njëri nga sportistët më të suksesshëm nga Kosova.

Kuka: Sukseset e ekipit tim tashmë janë bërë emblema e imazhit te popullit shqiptar kudo që ata jetojnë.

PGS: Ju jeni pjesëtar i një familje të shquar me rezultate shumë të mëdha ndër dekada në sportin e xhudos.

Kuka: Karriera ime në sport ka filluar me trajnerin tim Sylë Kuka, qe është edhe vëllai im e pastaj me xhudo është marrë edhe Agroni që sot është Kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, dmth mbarë familja jemi marrë me sportin e xhudos ndër dekada.

PGS: Për sukseset tuaja dhe të ekipit të sportistëve që ju i trajnoni  dhe i udhëhiqni mburret kombi shqiptar, e mbi të gjithë ne plavë-guciasit. Na flisni pak për preardhjen, origjinën dhe reflektimin tuaj për ketë aspekt ndoshta pakëz te panjohur për shume bashkëkombës tonë.

Kuka: Prindërit tanë, që tashmë kanë ndërruar jetë, kanë lindur në trojet tona shqiptare në Mal te Zi, gjegjësisht ne Luginën e Plavës dhe Gucisë.
Si fëmije kam shkuar shpesh në trojet stërgjysherore sepse atje kam pasur shumë kushërinjë me mbiemrin Kuka, hallen dhe tezen por gjithsesi edhe shumë vëllezër të gjakut e të familjes time të gjerë.
Aktualisht kam shumë familjarë qe jetojnë në Plave e Guci, por shumë prej tyre kanë emigruar në Amerikë.
Sivjet do të shkoj me fëmijët dhe familjen time për pushime dhe dua të takoj sa më shumë njerëz dhe të njihem me gjeneratat e reja.
Djali im Joni po me kërkon me ngulm qe atje ta ndërtojmë një shtëpi dhe të shkojmë sa më shpesh.Do të mundohem t’ia plotësoj këtë dëshirë.
Dua ta rikujtoj një detaj të rëndësishëm që nuk e harroj kurrë: isha diku 9-10 vjeçar kur babai im me kishte dërguar te një gur që kishte qenë kufiri i Shqipërisë Etnike nëse s’gaboj diku përfundi Murinës, aty afër Nokshiqit legjendar. Kam dëshirë që dikush që e njeh atë vend, kur të shkoj, të më dërgoj tek ai gur. Aty e kemi pas bërë një foto aso kohe me babain tim, por gjate luftës në Kosovë shtëpiat e familjes tonë janë djegur nga serbët tërësisht dhe nuk kam asnjë kujtim prej paraluftës!

PGS: A keni ndonjë mesazh të veçantë për bashkëkombësit dhe bashkëvendasit nga treva e Plavë Gucisë kudo qofshin ata?

Kuka: Për bashkëvendesit nga Plava e Gucia kam nje porosi, fjalët e dëshirën e djalit tim: të investojmë dhe t’i ruajmë trojet tona.
Ato bukuri natyrore të trojeve tona stërgjyshërore një ditë do të jenë destinacion botëror i turizmit sepse aty ka bukuri të rralla të paprekura shekullore.+++