Stërvitja më e madhe në vendit tonë, ku kanë zbarkuar në Shqipëri trupat amerikane që do të marrin pjesë në stërvitjen e NATO-s. Anija me forca dhe tanke ndaloi në portin e Durrësit, të cilët do të jenë pjesë e stërvitjes së madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2021”.
Anija e parë amerikane USAV MG CHARLES (LSV-5) që është ankoruar pasditen e sotme, rreth orës 16.30, në portin e Durrësit e nga e cila ka nisur zbarkimi i trupave ushtarake dhe logjistikës së nevojshme që do të përdoret në një nga stërvitjet më të mëdha ndërkombëtare që zhvillohen edhe në territorin e vendit tonë, por edhe në Evropë. Kalatat 1,2 dhe 3 të portit do të jenë në funksion të kësaj stërvitjeje.
Një pjesë e trupave që marrin pjesë në stërvitjen ndërkombëtare do të pozicionohen në portin e Durrësit, ndërsa pjesa e mbetur e trupave do të vendosen në baza të tjera të Forcave të Armatosura në vendin tonë.
Stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 2021” do të zhvillohet përgjatë një muaji e gjysëm (në maj deri në mes të qershorit) dhe do të shtrihet thuajse në të gjitha bazat tokësore, detare apo ajrore të Shqipërisë, nga veriu në jug.
Grupi i punës i Forcave të Armatosura dhe përfaqësuesit ushtarakë amerikanë që kanë ardhur disa herë në vendin tonë kanë zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe vizita njohëse në të gjitha këto baza, ku është parashikuar të zhvillohet stërvitja.
Një vizitë e tillë u zhvillua pak javë më parë edhe në portin e Durrësit
Për stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2021 u shpreh muaj më parë, ish-ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Mbrojtjes për vitin 2021 në Komisionin e Sigurisë. Sipas saj, “kjo stërvitje është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrin pjesë mbi 8.000 trupa amerikane, që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura.”
Stërvitja Defender Europe 2021
Stërvitja ushtarake do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi.
Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake.
Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.
Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete/operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks.