Nga Naser Vuçetaj
Prokuroria Themelore e Plavës ka ngritur së fundmi aktakuzë kundër tre zyrtarëve të Administratës së Pasurive të Paluajtshme për keqpërdorim të detyrës dhe për tjetërsim pronash “shtetërore” në favor të individëve të caktuar.
Në aktakuzë përmendet edhe tjetërsimi i mbi 43 hektarëve tokë në Vuthaj.
Mirë është që më në fund po flitet për “grabitjen” e pronave — por është krejtësisht e padrejtë të kufizohet debati vetëm në këto 43 hektarë, kur dihet se mijëra hektarë iu morën banorëve të Vuthajve (dhe pronarëve në vendbanime të tjera shqiptare në Plavë–Guci) gjatë regjimeve të mëparshme, e për të cilat asnjë institucion nuk ka guxuar të hapë hetime.
Kjo është hipokrizi e hapur: flitet për disa parcela, ndërsa dhuna historike e shtetit ndaj pronës së banorëve të Vuthajve vazhdon të mbulohet me heshtje. Madje edhe ato pak prona që u mbetën banorëve u futën brenda Parkut Nacional, duke kufizuar edhe më tej të drejtat e tyre.
Është koha të thuhet hapur:
• Nuk ka drejtësi duke u marrë me 43 hektarë e duke harruar mijëra të tjerë të grabitur ndër vite.
• Nuk ka rend e ligj aty ku institucionet mbrojnë grabitësit, ndërsa pronarëve u mohojnë të drejtën e rikthimit të pronave të tyre.
Prandaj, duhet të hapen të gjitha dosjet e pronave të Vuthajve (dhe të tjera) — nga e para deri tek e fundit.
Derisa kjo të ndodhë, çdo deklaratë institucionale për “mbrojtje të pronës” mbetet vetëm fasadë dhe hipokrizi.