Udhëtimi dyditor në Shqipëri u shndërrua në një përvojë edukative dhe kulturore të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Përmes vizitave në vendet historike, nxënësit patën mundësi të përjetojnë nga afër rrënjët e identitetit kombëtar dhe të ndihen më të lidhur me historinë dhe kulturën shqiptare. Për shumë prej tyre, ky ishte jo vetëm një udhëtim, por një hap drejt njohjes më të thellë të vetvetes dhe të vendit të tyre
Më 11 dhe 12 maj 2025, nxënësit e klasave VIII dhe IX të shkollave fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Triesh, “Bashkimi” – Skorraq dhe “29 Nëntori” – Dinoshë zhvilluan një udhëtim dyditor në Shqipëri. Ky udhëtim kishte karakter edukativ, kulturor dhe kombëtar, duke ofruar një përvojë të paharrueshme për të rinjtë që dëshironin të njihnin nga afër rrënjët e historisë shqiptare dhe bukuritë e vendit.
Itinerari nisi herët në mëngjes, me nisjen nga sheshi Skënderbeu drejt qytetit të Shkodrës. Pasi mbërritëm në qytetin e lashtë, ndalesa e parë ishte Kalaja e Rozafatit, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë. E ngjitur mbi një kodër që ofron një pamje mbresëlënëse të gjithë Shkodrës dhe ujërave përreth, kalaja i mahniti të pranishmit me historinë e saj të lashtë dhe legjendën e Rozafës, që i dha emrin. Nxënësit u njohën me rrëfimet për ndërtimin e saj dhe sakrificën e një nëne për qëndrueshmërinë e mureve.
Më pas, udhëtimi vazhdoi drejt Lezhës, ku u bë një ndalesë pranë “Varrit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”. Ky vend ka një rëndësi të veçantë historike, pasi aty ndodhet edhe vendi ku u mbajt Kuvendi i Lezhës në vitin 1444. Përmes një prezantimi të shkurtër, nxënësit u njohën me rolin e këtij vendi si simbol i unitetit shqiptar dhe rëndësinë që kishte Skënderbeu si strateg dhe udhëheqës në luftën kundër Perandorisë Osmane.
Pasdite, grupi mbërriti në qytetin historik të Krujës. Pasi pushuan për pak çaste, nxënësit vizituan Kalanë e Krujës, ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Aty ata patën mundësinë të shihnin dokumente, armë, piktura dhe objekte të ndryshme që i përkasin kohës së Skënderbeut dhe të dëgjonin histori për betejat dhe qëndresën shqiptare. Atmosfera brenda kalasë, me rrugicat me kalldrëm dhe tregun tradicional, i dha vizitës një dimension autentik dhe të paharrueshëm.
Në mbrëmje, nxënësit u sistemuan në hotel në Durrës, ku shijuan darkën dhe patën mundësi të reflektonin mbi të gjitha ato që kishin përjetuar gjatë ditës së parë.
Pas mëngjesit, dita e dytë e udhëtimit filloi me një vizitë në qytetin antik të Apollonisë, pranë Fierit. Apollonia është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, themeluar në shekullin VI para erës sonë. Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të shihnin nga afër rrënojat e teatrit antik, bibliotekës, portikut dhe akropolit. Udhërrëfyesit e informuan grupin për historinë e qytetit dhe rolin që pati në periudha të ndryshme historike. Për shumë nxënës, kjo ishte hera e parë që shihnin një qytet antik nga afër, duke e bërë përvojën tepër mbresëlënëse.
Pas Apollonisë, udhëtimi vazhdoi drejt Vlorës, një qytet që mban peshë të madhe në historinë e Shqipërisë moderne. Ndalesa kryesore ishte Shtëpia e Pavarësisë, vendi ku më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Brenda muzeut, nxënësit panë dokumentin origjinal të shpalljes së pavarësisë, portrete të Ismail Qemalit dhe firmëtarëve të tjerë, si dhe objekte historike nga ajo periudhë.
Pas një shëtitjeje të shkurtër në qytetin e Vlorës dhe pushimit për drekë, grupi u nis për kthim, duke përfunduar kështu një udhëtim të pasur me përjetime, dije dhe emocione.
Udhëtimi dyditor në Shqipëri u shndërrua në një përvojë edukative dhe kulturore të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Përmes vizitave në vendet historike, nxënësit patën mundësi të përjetojnë nga afër rrënjët e identitetit kombëtar dhe të ndihen më të lidhur me historinë dhe kulturën shqiptare. Për shumë prej tyre, ky ishte jo vetëm një udhëtim, por një hap drejt njohjes më të thellë të vetvetes dhe të vendit të tyre.
Ky udhëtim i jashtëzakonshëm u bë i mundur falë mbështetjes së Fondit Humanitar “Trojet Tona”, si dhe ndihmës së vazhdueshme nga Fondacioni Lukaj, Fondacioni Plavë e Guci dhe Fondacioni Trieshi. Falë përkushtimit të tyre, shumë të rinj patën mundësinë të udhëtojnë, të shohin nga afër vendet më të rëndësishme historike të Shqipërisë dhe të lidhin dijet teorike që mësojnë në shkollë me përvojën e drejtpërdrejtë. Ky aktivitet u organizua për herë të pestë, duke dëshmuar përkushtimin e organizatorëve për të ruajtur dhe forcuar lidhjet shpirtërore dhe kulturore me atdheun. Por kjo ishte hera e parë që në udhëtim morën pjesë edhe nxënës nga komuna e Tuzit. Udhëtimi u pasurua edhe më shumë falë pranisë së studiuesit Sami Flamuri dhe historianit Mark Junçaj, të cilët u angazhuan për t’i udhëhequr nxënësit gjatë vizitave, duke ofruar shpjegime të thelluara, interpretime historike dhe kontekste kulturore për çdo vend që vizituan.
Organizatorët shprehën dëshirën dhe vendosmërinë që ky udhëtim të mos mbetet një ngjarje e rastësishme, por të kthehet në një traditë të përvitshme. Qëllimi i kësaj nisme nuk është vetëm të ofrojë një ekskursion argëtues, por të shërbejë si një mjet edukimi dhe vetëdijesimi kombëtar, ku të rinjtë jo vetëm vizitojnë qytetet dhe monumentet historike, por mësojnë për rrënjët e tyre, për sakrificat e të parëve dhe për historinë e lavdishme të kombit shqiptar.
Donika Lulgjuraj
KOHA JAVORE