The Chicago Tribune (1919) / Konferenca e Paqes në Paris – Kur Halil Pashë Alizoti i shkruante Woodrow Wilson-it

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Qershor 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të shtunën e 7 qershorit 1919, në faqen n°2, shkresën e Halil Pashë Alizotit (delegat i shqiptarëve të Turqisë në Konferencën e Paqes në Paris) drejtuar asokohe presidentit amerikan Woodrow Wilson, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Delegatët shqiptarë i kërkojnë ndihmë Wilson-it

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti President,

Kohët e fundit shtypi ka thënë se Konferenca synonte t’i jepte Italisë një mandat për Shqipërinë; kemi nderin t’ju kujtojmë se për këtë çështje kemi dërguar një memorandum të datës 15 prill, për të shprehur dëshirën unanime të popullit shqiptar për t’i besuar Kombit Amerikan kujdesin për udhëheqjen e Atdheut në hapat e parë të jetës së tij politike.

Dëshira e popullit shqiptar përputhet absolutisht me parimin e pranuar nga Antanta, e cila deklaronte se do të merrte në konsideratë pikëpamjet e popullit shqiptar për të përcaktuar Fuqinë të cilës duhet t’i besonte drejtimin e tij.

Padyshim që populli shqiptar nuk mund të jetë aderues i italianëve, duke qenë se kjo do të ishte kundër zhvillimit të lirë të tyre dhe do të ngrinte pikëpyetje serioze për ekzistencën e tyre kombëtare. Ne shpresojmë sinqerisht që konferenca në dashamirësinë e saj të lartë, të marrë një vendim në favor të vendit tonë, që të sigurojë pavarësinë dhe rritjen e tij pa pengesë në rrugën e përparimit, nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.

Ne mbetemi sinqerisht tuajit,

Presidenti i Delegacionit Shqiptar :

Halil Pasha (Halil Pashë Alizoti)